Foto: REL/Reuters
A ekziston mundësia e një infektimi të dytë me coronavirus?
A ekziston mundësia e një infektimi të dytë me koronavirus? Pse disa njerëz janë më të sëmurë se të tjerët? A do të shfaqet ky virus gjatë stinës së dimrit? A do të ketë efekt vaksina? Si do të mund ta përballonim coronavirusin në terme afatgjata?
Teksti si më poshtë do të provojë t’u përgjigjet sadopak pyetjeve të parashtruara si më lart, shkruan BBC.
Sistemi imunitar është në qendër të disa prej pyetjeve më të rëndësishme për coronavirusin.
Dhe, problemi qëndron në atë se ne dimë shumë pak në lidhje me këtë virus.
Si mund të bëhemi imun ndaj coronavirusit?
Sistemi ynë imunitar është mbrojtja e trupit kundër infeksionit dhe ndahet në dy pjesë.
Pjesa e parë është gjithmonë e gatshme të shkojë dhe të hidhet në veprim sapo të zbulohet ndonjë trup (pushtues) i huaj në trup. Ky reagim njihet si reagim i lindur imunitar dhe përfshin lëshimin e kimikateve që shkaktojnë inflamacion dhe qelizt të bardha të gjakut që mund të shkatërrojnë qelizat e infektuara.
Por ky sistem nuk është specifik për coronavirusin. Thjesht, ky sistem një individi nuk i siguron imunitet ndaj coronavirusit.
Përkundrazi, trupi i njeriut ka nevojë për një reagim imunitar adaptiv (ndryshe i njohur edhe si si sistemi imunitar i fituar, është një nënsistem i sistemit imunitar që përbëhet nga qeliza dhe procese të specializuara, sistemike dhe që eliminon patogjenët duke parandaluar rritjen e tyre). Kjo përfshin qelizat që prodhojnë antitrupa të shënjestrua që mund të kapën në virus në mënyrë që të ndalojnë atë dhe qelizat T (lloj limfocitesh, të cilat luajnë një rol qendror në reagimin imunitar) që mund të sulmojnë vetëm qelizat e infektuara me virusin, të quajtura reagim qelizor, shkruan tutje BBC.
Kjo kërkon kohë ndërkohë që studimet sugjerojnë se nevojiten rreth 10 ditë për të filluar prodhimin e antitrupave që mund të targetojnë coronavirusin dhe, pacientët më të sëmurë e zhvillojnë reagimin më të fortë imun.
Nëse reagimi imunitar adaptiv është mjaftueshëm fuqishëm, atëherë mund ta trashëgojë një memorie të qëndrueshme të infeksionit që do të sigurojë mbrojtje në të ardhmen.
Nuk dihet nëse personat që kanë vetëm simptoma të buta, ose asnjë prej tyre, do të zhvillojnë një reagim të mjaftueshëm imunitar adaptiv.
Sa mund të jetë kohëzgjatja e imunitetit?
Memoria e sistemit imunitar është e ngjashme me tonën – i mban në mend qartë disa infeksione, por ka një zakon të harrojë të tjerat.
P.sh., fruthi është rrallë i harrueshëm. Sidoqoftë, ka shumë infeksione tjera që janë mjaft të harrueshme. Fëmijët mund të infektohen edhe me një RSV (virusi sincitial i frymëmarrjes) disa herë brenda një stine dimri.
Coronavirusi i ri, i quajtur Sars-CoV-2, nuk ka qarkulluar aq sa duhet për ta kuptuar kohëzgjatjen e imuntetitit, por ekzistojnë edhe gjashtë coronaviruse të tjerë njerëzor që mund të na japin ndonjë detaj.
Katër prej tyre prodhojnë simptoma të ftohjes së zakonshme dhe imuniteti i tyre është jetëshkurtër. Studimet kanë treguar se disa pacientë mund të ri-infektohen brenda një viti.
Mirëpo ftohja e zakonshme është përgjithësisht e butë. Ekzistojnë edhe dy koronavirusa më problematik – që shkaktojnë sindromën e rëndë të frymëmarrjes akute (Sars) dhe Sindromën e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (Mers) – në të cilat antitrupat janë zbuluar disa vjet më vonë.
“Pyetja nuk ka të bëjë me atë nëse do të bëheni imunë, por për sa kohë,” tha Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore duke shtuar se “është pothuajse gjë e sigurtë se nuk mund të zgjasë për tërë jetën.”
Sipas Hunter, bazuar në studimet e antitrupave në Sars, është e mundur që imuniteti të zgjasë vetëm rreth një deri në dy vjet, megjithëse kjo ende nuk dihet me siguri.”
Sidoqoftë, edhe nëse nuk jeni plotësisht imunitar është e mundur që një infeksion i dytë nuk do të ishte aq i rëndë.
Në ç’mënyrë njerëzit mund të infektohen për herë të dytë?
Ekzistojnë raporte të cilat thonë se disa njerëz kanë qenë subjekt të infeksioneve të shumëfishta me coronavirus brenda një hapësire të shkurtër kohore.
Disa raporte tjera kanë argumentuar se njerëzit me të vërtetë infektohen dy herë. Një shkollë tjetër e mendimit është se virusi kalon fshehurazi në trup para se të riaktivizohet.
Sidoqoftë, konsensusi shkencor thotë problemi me testimin qëndron tek fakti kur pacientëve u thuhet gabimisht se janë të lirë nga virusi.
Askush nuk është rikonfektuar qëllimisht me virusin për të testuar imunitetin, por një grup majmunësh rhesus macaque kohëve të fundit janë testuar për një gjë të tillë.
Ata janë infektuar dy herë, herën e parë për të krijuar një reagim imun dhe pastaj një herë të dytë tre javë më vonë. Këto eksperimente shumë të kufizuara treguan se majmunët nuk zhvilluan simptoma të sërishme pas një rikonfeksioni kaq të shpejtë.
Nëse kam antitrupa, a jam imun?
Kjo nuk garanton asgjë dhe kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë është e shqetësuar për vendet që përdorin ‘pasaportat imunitare” si një rrugëdalje nga bllokimi. “Pasaporta imunitare” ose “kthimi në punë” nënkupton se nëse jeni infektuar me SARS-CoV-2, virus që shkakton COVID-19 dhe në shërohesh në ndërkohë, atëherë keni imunitet që do t’iu mbrojë nga infektimi i sërishëm me këtë sëmundje për ca kohë.
Ideja është se nëse e kaloni testin e antitrupave, atëherë konsideroheni të sigurt për t’iu rikthyer vendit të punës. Kjo do të ishte veçanërisht e vlefshme për personelin e strehimoreve, shtëpive të kujdesit apo spitalet që janë në kontakt me ata që rrezikojnë të shfaqin simptoma të rënda.
Mirëpo ndërsa mund do të gjinden disa antitrupa në pothuajse çdo pacient, jo të gjithë janë të barabartë. Antitrupat neutralizues janë ato që kapen në coronavirus dhe janë në gjendje ta ndalojnë atë për të mos infektuar qelizat e tjera. Një studim i 175 pacientëve të rikuperuar në Kinë tregoi se 30% prej tyre kishin nivele shumë të ulta të këtyre antitrupave neutralizues.
Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se “imuniteti qelizor (pjesa tjetër e reagimit adaptiv) gjithashtu mund të jetë kritik për shërimin”.
Një çështje tjetër ka të bëjë me atë se vetëm pse një individ mund të mbrohet nga antitrupat e tij, kjo nuk do të thotë që i njëjti individ nuk mund ta ankorojë virusin (t`i bëjë një vend në trupin e tij) dhe pastaj ta transferojë atë tek të tjerët.
Pse është me rëndësi të jesh imun?
Të jesh imun ka rëndësi për arsye të qarta të shëndetit personal dhe për faktin nëse individi infektohet me Covid-19 shumë herë dhe sa shpesh.
Imuniteti gjithashtu do të ndikojë në faktin se sa vdekjeprurës është virusi. Nëse njerëzit mbajnë antitrupa, madje edhe antitrupa jo aq të mirë në trupin e tyre, atëherë kjo do ta bëjë sëmundjen më pak të rrezikshme.
Për një individ, të qenit imun nënkupton se i njëjti do ta kalojë më lëhtë masën e izolimit nëse dihet paraprakisht se kush nuk është në rrezik të infektimit apo përhapjes së virusit.
Nëse është shumë e vështirë të prodhohet imunitet afatgjatë, atëherë mund të jetë më e vështirë të zhvillohet një vaksinë. Ose mund të ndryshojnë edhe rrethanat se si duhet të përdoret vaksina – a do të duhej të përdoret një herë për tërë jetën apo një herë gjatë vitit ashtu siç përdoren vaksinat për grip.
Dhe kohëzgjatja e imunitetit, qoftë nga infeksioni apo imunizimi, do të na tregojë se sa do të jemi të aftë dhe në gjendje të ndalojmë përhapjen e virusit.
Këto janë disa nga ato pyetjet e mëdha për të cilat akoma nuk kemi ndonjë përgjigjie, e përmbyll artikullin e saj BBC.