Një organizim në Kosovë për të rritur vetëdijësimin për kancerin në gji, foto nga arkivi. rel

A e zbulon Inteligjenca Artificiale kancerin e gjirit më mirë se mjekët?

Një studim i bërë së fundmi arrin në përfundimin se mjekët janë në gjendje të zbulojnë kancerin në gji më shpesh në rastet kur përdorin Inteligjencën Artificiale, për të ndihmuar në leximin e rezultateve të mamogramit. Siç njofton korrespondentja Dora Mekouar, Inteligjenca Artificiale po ndihmon në zbulimin e kancerit të gjirit – duke e rritur shkallën e zbulimit në mbi 17%.

Kur mjekët përdorën Inteligjencën Artificiale për të analizuar mamogramet e mbi 460,000 grave në Gjermani, ata arritën të zbulojnë një rast më shumë kanceri për çdo 1,000 gra – krahasuar me rastet kur analizoheshin vetëm nga mjekët – sipas hulumtuesve. Studimi i publikuar në revistën Nature Medicine është Studimi më i madh i realizuar ndonjëherë, me të dhëna konkrete të pacientëve për ndikimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale në zbulimin e kancerit të gjirit.

Mjeku Alexander Katalinic ishte autori kryesor i Studimit.

“Shkalla e zbulimit të kancerit të gjirit është më e mirë dhe kjo është një provë shumë e fuqishme. Dhe, bazuar në këto prova, ne duhet të fillojmë të përdorim më shumë Inteligjencën Artificiale në kontrollet për kancerin e gjirit dhe në fund ky duhet të jetë standardi.” – thotë ai.

A do të thotë kjo shkallë zbulimi e përmirësuar – në gati 18% – se Inteligjenca Artificiale është më e avancuar se mjekët në zbulimin e kancerit të gjirit?

“Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë leximin e rezultateve nga mjekët deri në një masë. Por, çështja është sa larg duam të shkojmë me këtë zhvillim? Kjo nuk është thjesht çështje shkence, por edhe pyetje për shoqërinë. Sa i beson shoqëria Inteligjencës Artificiale?” – thotë Dr. Katalinic.

Inteligjenca Artificiale ndihmoi gjithashtu në uljen e rezultateve të pasakta. Inteligjenca Artificiale nuk arriti megjithatë t’i zbulojë dot disa raste kanceri.

Por, sipas rezultateve të studimit, dështimi i mjekëve për të zbuluar kancerin e gjirit ishte 10 herë më i lartë se Inteligjenca Artificiale.

Stefan Bunk është bashkëthemelues i Kompanisë teknologjike për kujdesin shëndetësor “Vara”, me seli në Berlin, që zhvilloi Inteligjencën Artificiale, e cila u përdor në këtë Studim.

“Inteligjenca Artificiale, përndryshe nga njerëzit, nuk lodhet, apo jo? Dua të them që Inteligjenca Artificiale punon në të njëjtën formë, si në orën 2 të mëngjesit, ashtu edhe në mesditë. Prandaj, është gjithsesi një avantazh dhe është gjithashtu edhe një prej arsyeve pse mendoj se ajo arrin të zbulojë rastet e kancerit, që mjekët nuk i zbulojnë.” – thotë bashkëthemeluesi i Kompanisë “Vara”, Stefan Bunk.

Ka shqetësime se përdorimi i Inteligjencës Artificiale në zbulimin e kancerit mund të sjellë si pasojë zvogëlimin e radiologëve të specializuar.

“Rastet e ndërlikuara, kur duhet të merren parasysh disa këndvështrime: atëherë kur duhet të flasësh me pacientin janë rastet kur nevojitet ekspertiza dhe kur nevojitet radiologu, prandaj ata duhet të vazhdojnë të trajnohen.” – thotë ai.

Por, ka një anë pozitive, sa i përket Inteligjencës Artificiale.

“Inteligjenca Artificiale është një mundësi dhe një faktor që duhet të na bëjë më entuziastë për fushën tonë. Radiologët e specializuar do të kenë hapësirën, kohën dhe përqendrimin për t’u fokusuar në raste më të ndërlikuara.” – thotë Dr. Wei Tang, nga Universiteti i Teksasit.

Profesoresha e Radiologjisë, Wei Tang nuk ishte e përfshirë në Studim, por ajo shprehet optimiste.

“Të dhënat janë shumë bindëse. Shkalla e rritur e zbulimit të rasteve të kancerit, zvogëlimi i rezultateve të pasakta dhe ndikimi i mundshëm që këto gjetje të kenë te mjekët dhe niveli i lodhjes së tyre janë në përgjithësi shumë, shumë pozitive.” – thotë ajo.

Tani për tani, bashkëpunimi ndërmjet radiologut dhe Inteligjencës Artificiale mund të jetë mënyra më e mirë për të kombinuar anët e forta të të dyjave.

“Kombinimi i mjekëve me Inteligjencën Artificiale është shumë më i mirë, sesa vetëm mendimi i mjekut.” – thotë Dr. Katalinic.

Një gjë e tillë mund të çojë drejt rezultateve më të mira për gratë./VOA