A e dinte Sheremet Ahmeti datën e saktë të shpalljes së Pavarësisë?

Ditën e saktë se kur do të shpallej Pavarësia e Kosovës pak kush e dinte në vitin 2008.

Ish-komandanti i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti në një intervistë për “Kallxo Pernime” ka thënë se ai e kishte kuptuar se ishte data 17 shkurt vetëm disa ditë më parë.

“Pa dyshim se ajo më ka gëzuar, më ka forcuar dhe nuk kam pas fare dyshim se çfarë duhet bërë për të qenë vërtetë një pavarësi dhe një moment shumë madhështor”, tha Ahmeti.

“Ne kemi qenë të informuar më kohë, me kuptimin e asaj të nevojshme mi bo planifikimet e duhura dhe të nevojshme për angazhimin e Policisë së Kosovës”, thënë ai.

Si njeriu në krye të Shërbimit Policor të Kosovës në atë kohë, Ahmeti ka thënë se koha kur e kishte kuptuar se do të shpallej Pavarësia ishte e mjaftueshme për tu përgatitur.

“Kanë mjaftuar ato ditë për tu përgatitur, për të planifikuar dhe paraparë të gjitha masat e nevojshme në rrethanat çfarë do të ndodhnin”, u shpreh Ahmeti.

Më tutje ai tha se edhe atëherë ka pas shumë presion nga Serbia, nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës që ajo të mos ndodh.

Por, sipas tij këto tensione i kanë mobilizuar që të shërbejnë dhe të jenë të vëmendshëm sepse ai u shpreh se kanë pasur edhe kërcënime.