Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A duhet të bashkohet Lugina me Kosovën? Flet Kryetarja e Preshevës

Kryetarja e sapo zgjedhur e Preshevës, Ardita Sinani përmes emisionit KallxoPernime ka bërë thirrje që situata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të jetë temë në tryezë në e bisedimeve me Serbinë.

E pyetur lidhur me idenë e korrigjimit të kufijve dhe bashkimit të Luginës me Kosovën, ajo ka kërkuar që të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në 3 komunat e Luginës së Preshevës duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta si qytetarët serbë në Kosovë.

“Ne jemi peng e raporteve jo normale mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Sinani gjatë intervistës.

“Sa i përket fazës finale të dialogut Kosovë Serbi dhe trajtimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës është domosdoshmëri e kohës. Për një paqe të gjatë dhe të qëndrueshme në rajon, Lugina e Preshevës duhet të jetë me çdo kusht të jetë pjesë e bisedimeve”, tha Sinani duke shtuar se çështje e shqitparëve të Luginës nuk është diskutuar në asnjërin proces të deritanishëm, as në Rambuje e as në Vjenë.

Ajo thotë se kjo mund të arrihet duke dërguar një përfaqësues nga Lugina e Preshevës në ekipin negociator të Kosovës përballë Serbisë.

“Lugina e Preshevës duhet të jetë temë, qoftë edhe me përfaqësues në dialogun Kosovë Serbi”.

Ajo ka krahasuar edhe të drejtat që i kanë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në raport me serbët që jetojnë në Kosovë.

“Reciprociteti në çdo aspekt, po të krahasohet me realizimin e të drejtave të serbë në Kosovë, as që krahasohen me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në çdo sferë, në rast se merret parimi i reciprocitetit, normal që shqiptarët e Luginës së Preshevës do ta kenë një pozitë më ndryshe”, tha Sinani në intervistën për KALLXO Përnime.

“Nëse diskutohet rreth reciprocitetit, duhet të diskutohet edhe ajo që po të njëjtat të drejta duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Qoftë në tërësi territoriale, kërkimi i autonomisë territoriale. Apo edhe bashkimi i Luginës së Preshevës në tërësi me Republikën e Kosovës, duhet të trajtohet”, shtoi ajo.

Tutje, ajo ka kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të kenë një program të posaçëm për 3 komunat e Luginës së Preshevës.

“Për neve si qytetarë të Preshevës, kish qenë mirë që dy qeveritë, si ajo e Kosovës si ajo e Shqipërisë të kenë program të posaçëm për Luginën e Preshevës, të trajtojnë pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me një program konkret”, tha Sinani në intervistën për KALLXO Përnime.