Viola von Cramon

A duhet Kosova ta shtyjë vendimin për ndalimin e targave ilegale të automjeteve?

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi se të gjithë do donin të shihnin zgjatje të masave sa i përket targave të automjeteve, e kjo sipas saj, varet nga zbatimi prej 1 nëntorit e tutje.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ shtoi se do duhej Qeveria të sqarojë pse nuk duhet te këtë shtyrje të kësaj mase.

“Mendoj se ka opsione të ndryshme në tryezë. Sigurisht, të gjithë do të dëshironin të shihnin zgjatje të këtyre masave të përkohshme, mirëpo nëse kjo është e nevojshme apo jo, varet edhe nga zbatimi, le të themi, i masave duke filluar nga 1 nëntori e në vazhdim. Do të ishte mirë të komunikohej në mënyrën e duhur pse qeveria mendon se nuk do të ketë shtyrje, pra nëse vendoset të mos shkohet për një zgjatje”- deklaroi Cramon.

Sipas saj, është e rëndësishme që të ketë heqje graduale me paralajmërime e të mos ketë provokime.

“Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që të mos vijmë me masa të ashpra, por të kemi një heqje graduale, t’u shpjegojmë njerëzve në detaje duke u dhënë atyre një paralajmërim, një paralajmërim të dytë e kështu me radhë. Pra, do t’u bëja thirrje të gjithëve që të jenë të përgjegjshëm, le të themi, për të mos shkuar për asnjë provokim”- shtoi eurodeputetja.

Cramon foli edhe për djegjen e makinave në veri të atyre qe kishin bërë kthim të tabelave në RKS.

Sipas saj, në veri ka më shumë probleme se në pjesët tjera të vendit, ku njerëz që qëndrojnë pas sulmeve janë pjesë e një strukture të krimit të organizuar.

“Ne kemi probleme më shumë në veri sesa në pjesën tjetër të vendit kur bëhet fjalë për frikësimin e qytetarëve. Kjo është jashtëzakonisht për të ardhur keq, të mos themi se shohim se disa njerëz që qëndrojnë pas kësaj janë pjesë e një strukture të krimit të organizuar dhe disa prej tyre janë edhe në listën e zezë të SHBA-se”- shtoi më tej von Cramon.

Sipas saj, BE do duhej t’i etiketonte këta persona për t’i vënë në listë të zezë.

Cramon potencoi se njerëzve të zakonshëm duhet t’u jepet më shumë kohë nëse duan të integrohen në shoqëri.

“Ndoshta do të ishte mirë që edhe Bashkimi Evropian t’i etiketonte për t’u vendosur në këtë listë të zezë. Pra, do të shkonte pas atyre njerëzve që padyshim kanë lidhje të ngushta, le të themi, me këtë krim të organizuar. Megjithatë, unë mendoj se njerëzit e arsyeshëm, njerëzit e zakonshëm, duhet t’u jepet ndoshta pak më shumë kohë, por më pas të vendosin vërtet që nëse duan të integrohen në shoqëri, nëse duan të jetojnë sipas ligjit”- shtoi ajo.

Lidhur me propozimin e SHBA-së dhe BE-së për shtyrje të vendimit për targa edhe për 10 muaj, von Cramon tha se vendimi është shtyrë disa herë, por duke parë presionin ndaj qytetarëve, mund të jetë në rregull një shtyrje.

“Kjo çështje apo ky problem ekziston qe një kohë shumë të gjatë, pastaj vendimi është shtyrë herë pas here, dhe e kuptoj që në një moment të caktuar, Qeveria e Kosovës, natyrisht, që do të dojë të ecë përpara dhe të thotë se tani e kemi thënë këtë gjë një herë, e kemi thënë dy herë, e kemi shtyrë në një moment dhe thjesht duhet të jemi seriozë. Nën anën tjetër, duke iu rikthyer çështjes së presionit ndaj qytetarëve individualë, mund të jetë në rregull të thuhet, mirë, ta zgjasim deri në fund të vitit”- shtoi më tej Cramon.

Sipas saj , problemi me të cilin po përballen qytetarët në veri sa i përket ndërrimit të targave duhet rregulluar, duke u ndihmuar edhe nga BE.

“Ne duhet të sigurohemi që njerëzit që duan të ndryshojnë dhe që janë të detyruar të ndryshojnë targat, të kenë mundësinë ta bëjnë këtë. Ky është një problem, pa dyshim, në pjesë të veriut, dhe kjo është një çështje që duhet rregulluar. A mund të ndihmojë Bashkimi Evropian me këtë? Pjesërisht, po. Unë mendoj se EULEX është shumë i vetëdijshëm për këtë, që njerëzit janë, le të themi, shumë të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje apo problemi”-tha ajo.

Më 31 tetor përfundon afati i Qeverisë për regjistrimin e makinave nga targat jolegale, “KM”, “PR”, “PE”, etj, në ato legale, RKS.

Debati për targat, serbët kërkojnë shtyrjen e afatit