Hysen Durmishi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

A do të shpronësohen pronat e zv.ministrit Durmishi për rrugën Mushtisht-Brezovicë?

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës, ka folur në lidhje me zërat që kanë qarkulluar se për rrugën Mushtisht – Brezovicë, shpronësimet do të përfshijnë edhe pronat e tij.

I pyetuar në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Durmishi e ka mohuar një gjë të tillë.

“Po kemi prona në rrugën Mushtisht – Brezovicë, të cilën e kemi blerë në vitin 2011 dhe rruga Mushtisht – Brezovicë, është nënshkru kontrata nëse nuk gaboj në 2017 apo 2018, nga kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. Nuk është kontratë e Ministrisë. Nuk kalon rruga nga ajo pronë, është larg ndoshta më shumë se 1 kilometër ato prona prej rrugës. Është e pamundur me kalu rruga anej”, ka pretenduar Durmishi.

Tutje, ai ka folur edhe për procedurat e rrugës Prishtinë – Pejë.

Durmishi ka bërë të ditur se është anuluar procedura e shpronësimit për këtë rrugë dhe tash, sipas tij, do të bëhen shpronësime nga fillimi, duke e ulur koston.

“Jemi duke folur përgjysmë më pak, për me përfundu komplet rrugën. Ne jemi duke e bo elaboratin e shpronësimit, që sivjet me e kry procedurën e shpronësimit që kur të fillojnë shpronësimet, mos me pasë pengesa qysh ka ndodhë në projektet e kaluara. Shpronësimi do të jetë 10 fish më i vogël se që ka qenë e planifikuar. Kostoja e krejt projektit mund të jetë 100 milionë euro”, tha Durmishi.

Ai tha se rruga pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe brenda tre viteve, sipas tij, do të përfundojë.