Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të shndërrohet Pallati i Rinisë në Prishtinë në spital për pacientë me COVID-19?

Në emisionin “Kallxo Pernime” po diskutohet për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 në Kosovë dhe ndikimin e pandemisë në shëndetin mendor.

Drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës, Bujar Gashi, flet për kapacitetet e kryeqytetit në luftën kundër coronavirusit.

Gashi tregoi se me përhapjen e infeksionit SARS-CoV-2 në rajon, Prishtina është mobilizuar dhe fillimisht ka mbyllur qendrat e të moshuarve, mandej është propozuar edhe mbyllja e shkollave.

Sa u përket kapaciteteve, drejtori nënvizoi se në rast se rritet numri i rasteve dhe Klinika Infektive nuk mund të përballojë fluksin e pacientëve plan tjetër është Pallati i Rinisë.

“Kemi pritë nga niveli qendror që të bëjnë kërkesën për ndihmën e kujdesit parësor për çështje të hapësirave ose infrastrukturës, është përmendur Pallati i Rinisë, që ka hapësira të mjaftueshme, disa salla, disa qendra të cilët për më pak se një muaj mund të përgatiten që të jenë qendra ku do të mund të gjenin një numër i madh i qytetarëve në rast se kapacitetet e qendrës klinike Universitare dhe Spitaleve Rajonale nuk do ta përballonin një fluks të tillë”, tregoi Gashi.

Kosova është duke u ballafaquar përsëri me rritje të rasteve pozitive të infeksionit gjithashtu është rritur edhe numri i pacientëve nëpër spitale e klinika ku trajtohen pacientët me COVID-19.

Gashi potencoi se frikësohet në rast se rritet numri i pacientëve nëpër klinika e spitale rajonale.

“Frika ime është në rritjen e rasteve të cilët kërkojnë trajtim. Ditëve të fundit vetëm në qendrën për COVID në Emshir ka kaluar shifra 300 që nuk kanë kaluar asnjëherë prej fillimit të pandemisë. Dje kemi pasë 320 qytetarë të cilët kanë kërkuar trajtim në qendrën për COVID në Emshir”, tregoi ai.

“Përqindja e rasteve që rezultojnë pozitive është prej 20 deri në 30 %”, tregoi tutje.

Bujar Gashi gjithashtu ka komentuar mosrespektimin e masave nga subjektet politike.

Sipas tij, mosrespektimi i masave anti-COVID ka qenë i padrejtë për të gjithë partitë politike pa asnjë dallim.

Gashi potencoi se të gjitha partitë janë dënuar dhe se disa gjoba janë paguar dhe disa të tjera ende jo.

“Ua kemi pa sherrin dhe do t’ua shohim edhe më tutje”, shtoi ai.

“Nëse kemi rritje këto ditë, jemi në përgatitje të planit për një qendër tjetër alternative në pjesën tjetër të qytetit në mënyrë që të ndajmë në dy pjesë. Do të jetë ose QKMF 4 ose qendra në Kodër të Trimave”, theksoi drejtori.

Përveç drejtorit të Shëndetësisë së Prishtinës pjesë e debatit janë edhe Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për Shëndet Mendor, Jehona Krasniqi, mjeke në Infektivë si dhe Leonora Aliu, gazetare.