Kurti pret në takim drejtuesit e Komunës së Leposaviqit 09.09.2024
A do të ndryshojë buxheti i Komunës së Leposaviqit pas takimit të komunarëve me kryeministrin Kurti?
Para disa ditësh, saktësisht më 09.09.2024 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren Marina Bogojeviq dhe drejtues të drejtorive të kësaj komune.
Në njoftim thuhej se kryeministri Kurti u ka ofruar drejtuesve të Leposaviqit mbështetjen e qeverisë dhe gatishmërinë në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor – 2025.
Në lidhje me këtë takim KALLXO.com ka kontaktuar drejtorëshen e Buxhetit dhe Financave në Komunën e Leposaviqit, Arjeta Tahirin, për ta pyetur se a e ka përfunduar buxhetin komuna, a e ka pranuar qarkoren e dytë dhe pas qarkores se dytë a mund të ndryshojë buxheti.
“Jemi në fazën e përgatitjes, afati për dorëzimin në Ministri është 30 shtator. Qarkoren e dytë e kemi pranuar më datë 19.08.2024. Buxheti ka mundësi të ndryshohet, në qoftë se merret ndonjë vendim nga ana e Qeverisë”- ka thënë Tahiri për KALLXO.com.
Ndryshe, Komuna e Leposaviqit ka organizuar dëgjim publik buxhetor për vitin 2025. Ky dëgjim buxhetor është mbajtur më 29.08.2024 në Bistricë dhe më 30.08.2024 në Rvatska. Qëllimi i dëgjimit publik sipas njoftimit të komunës është pranimi i kërkesave dhe sugjerimeve nga qytetarët për planifikimin e buxhetit të vitit të ardhshëm 2025.
Po ashtu Komuna e Leposaviqit ka njoftuar për organizimin e një dëgjimi tjetër publik buxhetor për vitin 2025. Ky dëgjim publik buxhetor është mbajtur më 22.08.2024 në sallën e Kuvendit komunal.