A do të ndiqet shembulli i Besian Mustafës për ndërprerjen e kontratave mbi vepër

Ditë më parë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa njoftoi se shkëputi 60 kontrata “afatshkurta antiligjore”.

“Sot, u njoftova nga u.d. sekretari i Ministrisë dhe u.d. kryeshefi i Agjencisë së Bujqësisë se këto kontrata, në mungesë të bazës ligjore dhe si rezultat i shkurtimeve buxhetore për vitin 2020, janë ndërprerë”, shkroi ministri Mustafa në Facebook.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për punësimet me kontrata mbi vepër.

Në raportin vjetor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin e kaluar janë përshkruar institucionet e nivelit qendror të cilat kanë punësuar persona me kontrata “për shërbime të veçanta”.

Vetëm në nivel qendror gjatë vitit 2019 janë lidhë 2 mijë e 947 kontrata mbi vepër.

Në një bisedë për KALLXO.com, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se nuk e ka menduar që t’i ndërpres kontratat mbi vepër në këtë dikaster të ekzekutivit, ashtu siç bëri kolegu I saj nga LDK, Besian Mustafa.

Për këtë, Dumoshi ka dhënë edhe një arsye.

“Jo, nuk e kam menduar një gjë të tillë sepse kontratat janë ende valide dhe pjesa e mbetur e kontratave mbi vepër në bazë të analizës që kemi bë është pjesa më e madhe e këtyre që i ruajn institucionet kulturore dhe thesaret tanë si, Ulpiana, Kalaja. Duhet me shiku një opsion, me i rregullu këta njerëz të cilëve ua besojmë thesaret tanë dhe që janë me kontrata mbi vepër. Pjesa më e madhe e tyre janë këta, rojet, pastruesit e institucioneve kulturore”, deklaroi Vlora Dumoshi për KALLXO.com.

“Bile, e kemi pas një problem sepse për tre muaj nuk janë paguar njerëzit e Ulpianës të cilët e ruajnë sepse kontratat u janë ndërpre e tash ironia më e madhe është se ne ua lëmë në dorë thesarin kulturor e nuk i paguajm ata njerëz. Duhet gjithsesi me u rregullu këto, unë shpresoj që me legjislacionin e ri nuk ka me pas mundësi me u lidh këso kontrata”, tha ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas raporti për të angazhuarit me kontratë për shërbime të veçanta për vitin 2019 në dikasterin që udhëhiqet tash nga Vlora Dumoshi ishin 91 persona. Ndërsa, në vitin 2018 numëronin 118 kontrata mbi vepër.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për media e MKRS-së, ka thënë se aktualisht janë rreth 80 kontrata mbi vepër në këtë ministri.

“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Institucionet vartëse të saj të angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta janë gjithsejtë 68 nëpunës civilë. Po ashtu 12 nëpunës janë të angazhuar në Rezidencën “Ibrahim Rugova” për të cilët ka vendim nga Qeveria për angazhimin e tyre. Pozitat janë kryesisht, pozita për staf mbështetës si roje dhe mirëmbajtës, si dhe të cilët angazhohen në ruajtën e objekteve dhe mirëmbajtjen e tyre, pasi numri i Institucioneve vartëse është i madh, si dhe i objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, për të cilat nevojitet vazhdimisht staf i cili kujdeset për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre për shkak të rëndësisë së objekteve”, thuhet në përgjigje.

“Po ashtu edhe disa pozita profesionale, për kryerjen e detyrave specifike. Për arsye të nevojave të Ministrisë, ne kemi shpallur konkurs për angazhim 6 mujor për një nëpunës për pozitën Zyrtar Multimedial, por procedura është pezulluar për shkak të situatës me COVID-19, dhe njëjta nuk është vazhduar por ka mbetur e pezulluar”, thuhet në fund të përgjigjes.