A do të mund të blejnë qytetarët aksione në Fondin Sovran?

Shkarkimi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në maj të vitit të kaluar ishte një hap drejt themelimit të Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, kishte thënë kryeministri Albin Kurti.

I ftuar në emisionin “Kallxo Përnime”, Emanuel Bajra pjesë e grupit punues për përgatitjen e koncept-dokumentit për Fondin Sovran, ka shpjeguar se si do të mund të funksionojë një fond i tillë.

Ai tha se Fondi Sovran do të mund të investojë në biznese ndërsa edhe qytetaret do të mund të investojnë në këtë Fond.

Bajra theksoi se Fondi Sovran do të shërbejë si një rregullator që do të krijojë strategji për kapitalin e krijuar në këtë Fond.

“Ndërtimi i kapitalit do të jetë mundësi për kompanitë të marrin pjesë në bursat e Kosovës që parasheh ky Fond Sovran. Çdo qytetar ka të drejt të blejë aksione aty. Fondi Sovran është një lloj rregullatori por edhe një mekanizëm që jep strategji gjithë kapitalit që krijohet ndërmjet bursës. Përderisa mërgimtarët nëse paraqesin interesim mund të paraqesin biznes-planin para bordit të Fondit Sovran dhe bordi me çdo mekanizëm do t’i hapë rrugë”, tha ai.

Emanuel Bajra tha se do të jetë sfiduese tranzicioni nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fondin Sovran. Ai tha se ndërmarrjet që do të kalojnë nga AKP në Fond, do të filtrohen.

“Ne do të propozojmë një lloj mekanizimi i quajtur ‘Bankë e keqe’ që i grumbullon asetet që nuk kanë përformuar mirë sepse Fondi Sovran nuk do t’i pranojë ato. Do të ketë shpronësime, do të ketë shitje të aseteve që janë të vlefshme para se të kalojnë ato nga AKP në Fondin Sovran. Tranzicioni nga AKP në Fondin Sovran do të jetë shumë sfidues por në strukturimin e shumë ndërmarrjeve është përcaktu një trajektore ”, tha ai.

20 milionë euro pritet të jetë kapitali startues i Fondit Sovran sipas Bajrës ndërsa sipas koncept-dokumentit, Fondi Sovran do t’i përgjigjet Kuvendit.

“Fondi do t’i përgjigjet Kuvendit të Kosovës, por do t’i shfrytëzojë edhe infrastrukturën e Ministrisë së Financave dhe Bankës Qendrore të Kosovës. Fondi Sovran do të ketë bord mbikëqyrës joekzekutiv, bordin ekzekutiv dhe menaxhmetin”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti ka miratuar koncept-dokumentin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri, do t’u japë jetë të re aseteve që qëndrojnë të nënshfrytëzuara në AKP, do t’i jap një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës. Fondi pritet që të kryejë jo vetëm një rol mbikëqyrës të aseteve të Kosovës”, kishte thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës kur ishte miratuar koncept-dokumenti për Fondin Sovran.