Gjimnazi "Frang Bardhi" në Mitrovicë të Jugut Foto: KALLXO.com

A do të kthehen në bankat shkollore pas procesit të rivlerësimit nxënësit që humbën vitin në Gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë?

Disa nxënës të Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë të Jugut kanë humbur vitin.

Ndonëse kanë kaluar dy muaj prej kur ka filluar viti i ri shkollor, Inspektorati i Arsimit ka marrë vendim që pesë nxënës t’i nënshtrohen një rivlerësimi. Pra, të vendoset nëse do të kthehen apo jo në bankat shkollore.

Arsyetimi i Inspektoratit për këtë rast është se mësimdhënësit nuk i kanë mbyllur notat, pra nuk i kanë vendosur notat me ngjyrë të kuqe për këta nxënës.

Të arsyeshëm nuk e kanë parë vendimin mësimdhënësit e kësaj shkolle.

Vendimi i Inspektoratit të Arsimit –  Foto: KALLXO.com

Mësimdhënësja e lëndës së Sociologjisë, Leonora Peci-Haliti, ka thënë për KALLXO.com se është “shembur vlerësimi, puna jonë”.

“Vendimin që e ka marrë Inspektorati kemi mbetur pak të befasuar. Vendimi është marrë për dy nxënës me i sjellë në riprovim. Tash, në qershor e kanë humbur vitin me tetë të dobëta, shtatë të dobëta, në periodë të parë me dymbëdhjetë të dobëta. Kanë formuar komisione për me i vazhdu me i pyet edhe pse jemi në nëntor edhe pse ne ligjërisht s’po e dimë në çka janë bazu”-  tha ajo.

Në lidhje me mosvendosjen e notave me ngjyrë të kuqe, Peci-Haliti thotë se kjo ka ndodhur edhe te nxënësit me suksese të tjera, pra jo vetëm tek ata me nota të dobëta.

“Kanë tregu që notat me të kuqe po mungojnë. Notat me të kuqe kanë mungu dhe mungojnë edhe te notat e mira, ka raste që mungojnë për shkak që vlerësimet bëhen duke i pritë, duke u mundu me nxjerr diçka prej tyre dhe me pasë sukses pozitiv, por në momentin që ata s’kanë dhënë sukses pozitiv kanë mbetur negativë, nuk e di, i kemi harru, ndoshta ka ndodhë prej punës së madhe, ngarkesës por nuk po mendoj që është arsye për me u kthy me i pyet tash. Nëse është ashtu atëherë duhet me i thy pesat, katërshet, treshat, pra notat e tjera”- theksoi mësimdhënësja.

Si jokorrekt këtë vendim të Inspektoratit e ka parë edhe mësimdhënësja e gjuhës frënge, Edona Miftari.

“Nuk besoj që është e drejtë që për shkak të një ngjyre, ose një kimiku me u vendos që po u dashka me u kthy nxënësit për shkak se zakonisht notat me ngjyrë të kuqe vendosen pas mbledhjes. Tash nuk mundemi na me marrë kompetencën e një profesori që ka dhënë mësim për dhjetë muaj dhe i ka vlerësu ata për dhjetë muaj me marr atë kompetencë prej atij profesori edhe me thanë për shkak të këtij gabimi të vogël që e ka bo kujdestari i klasës, që në fakt është pjesë e kujdestarit të klasës që duhet me plotësu me të kuqe, tash me i kthy nxënësit në riprovim”- u shpreh Miftari.

Ndonëse Gjimnazi “Frang Bardhi” ka dërguar ankesë në Inspektoratin e Arsimit në kuadër të MASHTI-t për këtë çështje, e njëjta është refuzuar.

Drejtori i kësaj shkolle, Luan Mehmeti, tha për KALLXO.com se është formuar komisioni për t’u dhënë këtyre nxënësve mundësinë e rivlerësimit.

“Në bazë të vendimit të datës 18.10.2024, që te ne është sjellë në mënyrë fizike, më 22.10.2024, të dërguar nga komisioni ad hoc për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave të shkallës së dytë -Inspektorati i Arsimit, ku refuzohet si e pabazë ankesa e Gjimnazit “Frang Bardhi” dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 30.08.2024, i lëshuar nga inspektorët e Arsimit në SIA Mitrovicë, jemi të obliguar që shkolla të formojë komisionin për rivlerësimin e nxënësve. Po, kemi formuar komisionin duke u bazuar sipas rekomandimeve të Inspektoratit ”- ka thënë drejtori i Gjimnazit, Luan Mehmeti.

Në përgjigjet e drejtorit të Gjimnazit “Frang Bardhi”, Luan Mehmetit, thuhet se pesë nxënës do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, më 11, 12 dhe 13 nëntor 2024.

“Është caktuar data e mbajtjes së rivlerësimit, më 11, 12, 13 nëntor 2024, nga ora 11:00 deri 13:45. Për datën dhe kohën nxënësit (prindërit) e nxënësve janë të njoftuar dhe këtë e kanë konfirmuar se kanë marrë njoftimin. Po ashtu kemi imformuar edhe kryetarin e KDSH – dhe kemi kërkuar që mundësisht të jetë prezent dhe të përcjellë procesin në intervalin e mbajtjes së rivlerësimit. Për kohën e mbajtjes dhe vendimit që kemi marrë janë të informuar edhe Inspektorati i Arsimit në Mitrovicë. Janë pesë nxënës që do t’i nënshtrohen rivlerësimit”- përfundoi drejtori.

KALLXO.com ka kontaktuar dhe Inspektoratin e Arsimit në kuadër të MASHTI-t për të marrë një qëndrim, mirëpo deri në publikimin e storjes dhe artikullit nuk ka kthyer përgjigje.