FOTO:Ilustrim

A do të ketë shkarkime në Polici?

Në pjesën e parë të emisionit e sontëm të KALLXO.com ku po diskutohet për sigurinë në vend është ngritur edhe çështja për refomat e rrjedhimisht edhe shkarkimet brenda Policisë e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se duhet të ketë reformë të përgjithshme, por mohoi që në kuadër të kësaj reforme të hynë edhe shkarkimet e zyrtarëve policorë.

“Unë mendoj që duhet me pasë reformë të përgjithshme dhe jo vetëm në krime ekonomike. Mendoj që ne duhet t’i përshtatemi konform situatës dhe trendeve dhe zhvillimeve që ndodhin të krimit në përgjithësi, të zhvillimet shoqërore. P.sh. para disa viteve nuk është paramendu që bankomatat mundem më eksplodu, sot kemi disa raste. Unë mendoj që sa të jem në këtë pozitë apo të tjerët, unë do të jem i përkushtuar në reforma. Siç e kam cekur edhe me bashkëpunimin me BE-në është pikërisht për reformat, ne duhet t’i përshtatemi nevojave të qytetarit në çështje të sigurisë. Unë mendoj që të krimet ekonomike duhet të ketë reforma. Ne duhet të jemi në trend me kohën e ta përcjellim krimin e të përballmi më të. Unë jam edhe për avancim dhe për reformim komplet të gjithë sistemi policor si nga aspekti hetimor, parandalues edhe në qasjen”, u shpreh ai.

Mehmeti tha se në raste kur polici ndodhet në një situatë të krimit apo diçka ngjajshëm do të vazhdojnë me masë disiplinore dhe penalizim, duke kundërshtuar kështu opisionin e shkarkimit nga puna.

“Reforma nuk duhet me qenë më qëllim që njerëzit të largohen as nga puna e as nga pozita. Mendoj që krijimi i një pune sistematike natyrisht që mund të kërkojë sfida dhe angazhime shtesë. Ka njerëz që këto nuk mundet m’i përballu, atëherë duhet me gjetë veten fillimisht. Nëse gjendet në krim apo diku tjetër, normalisht që është sistemi i disiplinimit dhe penalizmit. Reforma nuk duhet të bëhet për m’i dëmtu njerëzit, përkundrazi, duhet të jenë njerëzit që e përballojnë punën dhe përgjegjësinë dhe kjo sjellë efikasitet”, tha kreu i Policisë së Kosovës.