A do të jetë Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë?

 

Ndonëse kabineti i ri qeveritar ende nuk është formuar dhe nuk janë bërë publike, e as ndarja e ministrive, emri i deputetes Albulena Haxhiu është përmendur në publik për postin e ministres së Drejtësisë.

Në një intervistë për KALLXO.com, deputetja Haxhiu ka thënë që pavarësisht që nuk ka ndonjë vendim të tillë, ajo është e gatshme të jap kontributin e saj në fushën e drejtësisë.

“Ndoshta fakti se jam marrë shumë me çështjet e drejtësisë, tashmë edhe është përmendur emri im, janë përmendur shumë emra për ministri, ende nuk është që kemi definuar se kush do të jetë në krye të ministrive, ajo çfarë mund të deklaroj tani është se unë do të jem e gatshme të jap kontributin tim kudo që kryesia e Vetëvendosjes, kryetari i VV-së e sheh të arsyeshme pra qoftë në Kuvendin e Kosovës, qoftë në ekzekutiv, pra unë do të mundohem të jap kontributin tim për çështjet që i kam mbuluar dhe të tjera ku kam njohuri”, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar që t’i marrin nga 5 ministri në qeverinë që pritet të dalë nga bisedimet mes këtyre dy partive.

Kryetari i Pejës, njëkohësisht anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka konfirmuar se LDK-ja do të marrë: Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe atë të Bujqësisë.

Ndërsa te Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur ndonjë deklarim zyrtar për këtë çështje.