Bekim Jashari. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të garojë dikush nga familja Jashari për president të Kosovës?

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, njëherësh anëtar i familjes heroike Jashari, ka shprehur gatishmërinë e kësaj familjeje që të kandidojë për president të Kosovës nëse shtrohet kërkesa dhe nevoja.

“Interesi dhe dëshirat nuk ka qenë as i imi për kryetar po kanë qenë kërkesat dhe nevojat e vendit. Nëse shihet edhe kërkesa në nivel qendror ne jemi të gatshëm, pse jo. Siç kanë qenë të gatshëm ata me dhanë jetën për këtë vend, edhe ne jemi të gatshëm me dhanë mund dhe djersë për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit”, u shpreh Jashari në debatin “Jeta në Komunë”.

Kujtojmë se presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar dorëheqjen nga ky post nëse i konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale. Thaçit po ashtu i skadon mandati në vitin e ardhshëm. Tema e presidentit ka ngjallur mospajtime mes partive qeverisese në vend se kush do ta marrë këtë post.

Në anën tjetër është përfolur edhe emri i Murat Jasharit, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, si kandidat i mundshëm për president të Kosovës.