Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
A do të bëjë Lëvizja Besa koalicion me VMRO-DPMNE-në?
Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar nëse subjekti i tij politik do të bëjë koalicion me VMRO-DPMNE-në.
Sipas Kasamit, partia e tij ka koalicion me qytetarin dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë.
“Lëvizja Besa është fillimisht në koalicion me qytetarin dhe këtë e treguam në zgjedhjet lokale dhe pastaj kemi një partneritet të fuqishëm me faktorin ndërkombtar, veçanërisht me ShBA-të, pra për ne para të gjithave është i rëndësishëm orientimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe pastaj vijnë interesat partiake”, tha ai.
Kasami ka theksuar se Besa nuk do të kalkulojë asnjëherë me drejtimin gjeostrategjik të Maqedonisë së Veriut.
“Ne kur e bëmë koalicionin me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë, ishim plotësisht të vetëdijshëm që do të humbnim nga përkrahja dhe autoriteti të cilin e kemi te votuesit shqiptarë, por me këtë sakrificë që e bëmë e vazhduam rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Në asnjë moment Lëvizja Besa nuk ka kalkuluar dhe nuk do të kalkulojë me orientimin gjeostrategjik të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.
Lideri i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami, ka fituar zgjedhjet e djeshme në Tetovë.
Dje, po ashtu, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë.
www.kallxo.com