A do ta përkrahë Bilall Kasami rrugën Prizren-Tetovë?
Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili ka fituar zgjedhjet në Tetovë, ka thënë që do ta përkrahë projektin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për rrugën Prizren-Tetovë.
Kasami në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se si kryetar i ardhshëm i Tetovës do të angazhohet në mënyrë aktive për realizimin e këtij projekti.
“Ajo rrugë është e rëndësishme për lidhjen e Tetovës me Prizrenin. Personalisht kam kaluar deri në kufi, është një terren goxha i vështirë, besoj që me një koordinim të mirë ndërshtetëror mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është një projekt që mund të realizohet dhe unë si kryetar i ardhshëm do të jem aktiv në këtë pjesë që sa më shpejt dhe më lehtë të realizohet ky projekt”, tha ai.
Në këtë intervistë, Kasami po ashtu ka deklaruar se për dallim prej herave të tjera, në këto zgjedhje Kosova nuk ka pasur ndikim.
“Partitë politike nga Kosova nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet sepse kanë pasur hallin e tyre, dhe kjo ndoshta ishte një relaksim i marrëdhënieve ndërpartiake këtu në Maqedoninë e Veriut sepse e dimë që në të kaluarën partitë politike nga Kosova kanë qenë pjesë aktive e zgjedhjeve këndej”, tha ai.
Kasami pritet të udhëheqë Tetovën pas fitores në zgjedhjet e djeshme në Maqedoninë e Veriut.
Ditë më parë, kabineti qeveritar i Kosovës ka marrë vendim për formimin e komisionit për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë, për të cilën Qeveria e Kosovës kishte lidhur marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut më 16 shtator të këtij viti.
Rruga Prizren-Tetovë, mbi 150 milionë euro investim me tunelin mbi 6 kilometra
www.kallxo.com