A do ta braktisin Shtetet e Bashkuara Kosovën?

Duke ia hedhur fajin drejtpërdrejt Kosovës, përgjigja e SHBA-së ndaj dhunës së fundit në veri shënon një largim të madh nga politika e kahershme. Një politikë e tillë nuk është as e drejtë dhe as e mençur.

Si një ish-gjyqtar amerikan me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kam ndjekur nga afër raportet e mediave në lidhje me trazirat e fundit në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ia kanë vënë fajin për protestat e dhunshme serbe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili e autorizoi përdorimin e policëve në fund të majit për t’i përcjellur kryetarët shqiptarë etnikë të zgjedhur së fundmi në ndërtesat komunale në katër komunat me shumicë serbe, duke përdorur forcën nëse është e nevojshme.

Ky vendim u bë pa konsultim paraprak me zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së, dhe pavarësisht këshillave të dhëna më 18 maj nga vendet e QUINT- SHBA, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe – për të mos u futur në ndërtesa nga frika e telasheve që mund të krijohen.

Vendimi i Kurtit është parë si një akt provokimi, si dhe një pengesë për dialogun e udhëhequr nga BE, të mbështetur nga SHBA, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Komuniteti ndërkombëtar është i indinjuar. Dhuna serbe që pasoi, rezultoi me lëndime të 30 anëtarëve të forcës paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forca e së cilës  ishte thirrur për ta shuar dhunën, dhe rreth 50 civilë.

Situata është pasqyruar gjerësisht në shtypin amerikan. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u citua më 2 qershor në Wall Street Journal teksa thoshte: “Këto veprime [nga Kosova] i kanë përshkallëzuar ashpër dhe në mënyrë të panevojshme tensionet, duke i minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet dypalëshe me Kosovën”.

Në një artikull për Balkan Insight, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, citohet të ketë thënë se SHBA-ja “do t’i ndërpresë të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar Kosovën në marrjen e njohjeve nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare”.

Jam shokuar nga kjo bombë verbale.

‘Carte Blanche’(çek bosh) për Serbinë

Ndërkohë që Kurti mund ta ndajë një pjesë të fajit duke u futur në një vorbull të parashikueshme serbe, është e paimagjinueshme që Hovenier në thelb do ta delegjitimonte Kosovën në sytë e botës pas mbi 20 vitesh mbështetje të fortë nga SHBA.

Ndoshta një dashuri e ashpër ishte në rregull, mirëpo pozicioni i Hovenier ka shkuar drejt në favor të Serbisë dhe Rusisë dhe u ka paraqitur atyre një fitore politike që nuk mund ta arrinin asnjëheë vetë, madje as në ëndrrat e tyre më të çmendura.

Serbia është përfshirë në një fushatë të çnjohjes dhe dendërkombëtarizimit për vite me radhë, në mbarë globin. Tani ajo ka një “carte blanche”(çek bosh) për t’i vazhduar përpjekjet e saj.

Një tjetër sanksion i SHBA-së ishte anulimi i  Kosovës nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake Defender 23’ ku përfshihen SHBA, vendet e NATO-s dhe partnerët e saj. Kjo paraqet një goditje të madhe për aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.

Si arriti Kosova në këtë pozicion të rrezikshëm ku SHBA-ja, mbështetësi dhe mirëbërësi i saj kryesor, heziton ta qortojë Serbinë, ndërsa në të njëjtën kohë, siç thonë amerikanët, e hedh Kosovën nën rrotat e autobusit?

Pikëngecja në negociata

Gjatë 28 muajve të mi në Kosovë ndërmjet viteve 2011 dhe 2013, kam qenë gjithmonë i vetëdijshëm për tensionin etnik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, veçanërisht në veri.

Në një rast në vitin 2012, më caktuan një rast në Mitrovicën e Veriut, ku SHBA-ja e kishte financuar rindërtimin e gjykatës së OKB-së pas trazirave serbe në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dy gjyqtarë të tjerë ndërkombëtarë dhe unë u mobilizuam në anën jugore të lumit Ibër, ku mblodhëm helmetat tona, jelekët antiplumb dhe maskat e gazit, më pas u futëm në një automjet të blinduar për udhëtimin tonë qarkullues në ndërtesën e gjykatës në anën veriore të lumit.

Gjykimi përparoi pa probleme dhe nuk pati incidente sigurie, por tensioni në ajër ishte i dukshëm. Është e qartë se ka pasur armiqësi mes shqiptarëve që jetonin në jug të lumit dhe serbëve që jetonin në veri, pak më shumë se një dekadë pas luftës së viteve 1998-99. Pyesja veten se çfarë do të sillte e ardhmja.

Që atëherë ka pasur përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, duke filluar nga viti 2013 me marrëveshjen e Brukselit, e cila ndër të tjera parashikonte krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Përpjekjet e mëvonshme deri vonë kanë dështuar kryesisht për një arsye ose një tjetër [shpesh për shkak të provokimit serb], pavarësisht nga një paradë e vazhdueshme e liderëve shtetërorë, diplomatëve, ambasadorëve, ministrave, të dërguarve specialë, raportuesve, negociatorëve, delegacioneve të huaja dhe zyrtarëve të tjerë të ndryshëm, që të gjithë duke u përpjekur t`i pajtojnë të dyja palët.

Pika e pengesës mbizotëruese ka qenë gjithmonë themelimi i Komunave më Shumicë Serbe dhe shtrirja e duhur e autoritetit të saj. Për Serbinë dhe serbët në veri, ASM është sine qua non (parakusht) që i zbeh të gjitha çështjet e tjera midis dy vendeve. Ata duan që Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe t’i jepet autoritet i gjerë dhe kompetenca ekzekutive.

Kosova ka refuzuar me vendosmëri të pajtohet me një Asociacion me fuqi gjithëpërfshirëse si një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, si një Republika Srpska në Bosnje.

Kohët e fundit, Dialogu kishte filluar të jepte disa premtime me takimet dhe marrëveshjet dypalëshe mes kryeminstrit Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel në muajin shkurt dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut në muajin mars. Pika 7 e marrëveshjes së arritur në Ohër parashikon themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe, por si gjithmonë djalli fshihet në detaje dhe Kosova dhe Serbia mbeten shumë larg një marrëveshjeje ende.

Telashe serioze kishin lindur shumë kohë përpara këtyre takimeve. Pati trazira lidhur me targat e automjeteve në nëntorin e kaluar kur Kosova këmbënguli që banorët serbë në veri t’i ndërronin targat nga ato të lëshuara nga Serbia në ato të lëshuara nga Kosova, në përputhje me sovranitetin e Kosovës.

Por kjo shkaktoi trazira masive civile në mesin e serbëve, si dhe dorëheqjen e të gjithë zyrtarëve komunalë serbë në veri, si kryetarët e komunave, policia dhe të tjerët. Kjo dorëheqje masive i la pa qeverisje komunat në veri.

Gjatë këtyre trazirave, Vuçiq vendosi ushtrinë serbe në gatishmëri të lartë, duke e përkeqësuar problemin siç është protokolli i tij normal.

Megjithatë, nën presionin e madh ndërkombëtar, Kosova u tërhoq dhe e shtyu zbatimin e regjimit të ri të targave. Serbët në një farë mënyre ishin të liruar nga çdo përgjegjësi, edhe pse ishte e qartë se ata vepronin nën inkurajimin ose urdhrat e Beogradit.

Pra, çfarë duhej të bënte Kurti?

Përkundër rezistencës së vazhdueshme serbe ndaj çdo përpjekjeje të Kosovës për ta afirmuar autoritetin e saj të ligjshëm në komunat e tyre, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe Kosova duhej ta mbushte boshllëkun e krijuar.

Kështu që autoritetet kosovare më pas i caktuan zgjedhjet në veri më 24 prill për t’i plotësuar pozitat vakante në përputhje me kërkesat ligjore, madje siç pranohet nga deklarata e QUINT-it të përmendur më lart. Mirëpo, përsëri, me urdhra të mundshëm nga Beogradi, serbët i bojkotuan zgjedhjet dhe më pak se katër përqind e votuesve me të drejtë vote e hodhën votën e tyre.

Ata që dolën votuan për tre kandidatë për kryetarë komunash shqiptarë të Kosovës dhe për një kandidat boshnjak, duke krijuar një situatë dukshëm të paqëndrueshme. Serbët gati se fare nuk kritikuan për dështimin e tyre për të marrë pjesë.

Situata më pas shpërtheu. Pas betimit, kryetarët e komunave tentuan të futen në ndërtesat komunale për ta filluar punën, duke kërkuar ndihmën e policisë së Kosovës, ndonjëherë duke përdorur forcë. Me sa duket, kryetarët e komunave duhej të punonin diku tjetër në vend të ndërtesave komunale, të cilat disi morën një rëndësi mitike.

Një gjë e tillë nxiti protestat e dhunshme të nacionalistëve serbë dhe bandave të supozuara kriminale siç i kemi parë, disa me shkronjën “Z” të shkruar në rrobat e tyre si një gjest mbështetjeje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Paqeruajtësit dhe civilët e KFOR-it u plagosën dhe Vuçiq, gjithmonë i aftë për ta përkeqësuar situatën e keqe, e vendosi ushtrinë e tij në gjendje të lartë të gatishmërisë.

Kohërat mund të ndryshojnë

Kjo është situata që tani i ngarkohet ekskluzivisht Kurtit. Natyrisht, ai duhet ta kishte marrë këshillën e QUINT-it, pasi ajo këshillë ishte një paralajmërim i qartë se serbët do ta gjenin një mënyrë për ta shfrytëzuar situatën dhe për të nxitur telashe, ashtu edhe siç ndodhi.

Por a duhet që Kosova tani të izolohet nga SHBA-të siç nënkuptohet nga deklarata e ambasadorit Hovenier, ndërsa serbët të lihen të lirë?

Gjatë kohës sime në Kosovë dhe që nga ajo kohë, gjithmonë kam pasur ndjenjën e fortë se vendi im, SHBA, ishte një përkrahës i palëkundur i Kosovës.

Në fund të fundit, ky vend i vogël është një demokraci e pjekur në Ballkanin Perëndimor me një respekt për sundimin e ligjit pas masakrave të kryera nga Serbia gjatë luftës. Lufta la mbi 10,000 të vdekur, gra të panumërta të përdhunuara si armë lufte dhe afro një milion refugjatë si rezultat i spastrimit etnik.

SHBA ishte udhëheqëse në fushatën e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës dhe ndihmuan në rindërtimin e Kosovës më pas. Ajo gjithmonë ka ofruar burime të konsiderueshme financiare, zhvillimore dhe diplomatike. Dhe gjithmonë e ka mbështetur Kosovën në fitimin e njohjes nga vendet e tjera, tani mbi 100 sosh, dhe i ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për t’u antarësuar në organizatat ndërkombëtare, pavarësisht nga përpjekjet e pandërprera të Serbisë për ta bërë të kundërtën.

Dhe Kosova gjithmonë e ka treguar mirënjohjen e saj ekstreme për ndihmën dhe mbështetjen e Amerikës, si me fjalë ashtu edhe me vepra.

Për shembull, Kosova vazhdon ta mbajë bazën e madhe ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj. Dhe Kosova doli vullnetare për t’i strehuar qindra refugjatë afganë ndërsa ata po kontrollohen/skanohen për qëllime sigurie, një program që është ende në progres.

Kosova e ka hapur një ambasadë në Jerusalem sipas kërkesës së SHBA-së. Ajo ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën e saj të paprovokuar me Ukrainën, ndërsa Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Rrugët në Prishtinë janë emërtuar sipas disa heronjve amerikanë, si ish-sekretarja e shtetit Madeline Albright dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, dhe ekziston një statujë e madhe i ish-presidentit Bill Clinton afër qendrës së qytetit. Flamujt amerikanë mund të shihen teksa valëviten në të gjithë Kosovën.

Dhe gjatë kësaj kohe, shumë serbë në veri, me besnikëri vetëm ndaj Beogradit, si dhe bandat e ndryshme të kriminelëve të organizuar, vazhdimisht kanë shkaktuar telashe, duke qenë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar virtualisht.

Kjo sekuencë e përgjithshme e ngjarjeve të fundit, përfshirë edhe deklaratat nënçmuese nga SHBA, sugjeron se kohërat mund të ndryshojnë. Mund të ndodhë që SHBA-të tani janë më të prirura për ta qetësuar Serbinë, në mënyrë që ta inkurajojnë të njëjtën të mos zhytet më tej në përqafimin vazhdimisht destabilizues të Rusisë. Koha do ta tregojë.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës tani ka rënë dakord të shpallë zgjedhje të reja në veri, ndoshta dikur gjatë kësaj vere. Kjo është një shenjë pozitive, dhe ndoshta SHBA-të do ta rishikojnë kontekstin historik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe do ta mirëpresin Kosovën përsëri në rrethin e saj./Balkan Insight

Gjykatësi Dean B. Pineles është i diplomuar në Universitetin Brown, Shkollën Juridike të Universitetit të Bostonit dhe Shkollën e Qeverisë Kennedy në Universitetin e Harvardit. Ka shërbyer si gjyqtar ndërkombëtar në EULEX nga viti 2011-13. Përveç Kosovës, ai ka përvojë të gjerë të sundimit të ligjit në vende të tjera, dhe ka shkruar për përvojat e tij në “Një Odise Gjyqësore, Nga Vermonti në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji, pastaj në Krimet e Luftës dhe Trafikimin e Organeve në Kosovë”, botuar në korrik të vitit 2022 nga Rootstock Publishers në Montpelier, Vermont.

Mendimet e shprehura janë vetëm të autorit dhe nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

 

Përgatiti në shqip: Nuhi Shala