LVV: Në vjeshtë ndryshimit do t’i bashkërendohen edhe fitoret e komunave të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se në zgjedhjet të cilat priten të mbahen në vjeshtën e këtij viti do të ketë ndryshim edhe në komuna.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur mbledhja e qendrave të LVV-së në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri dhe kryetari i partisë Albin Kurti.

“Ndryshimit të madh që ndodhi përmes referendumit gjithpopullor në nivelin nacional, në vjeshtën e këtij viti do t’i bashkërendohet edhe fitorja masive në komunat e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë, përveçse e nevojshme, është edhe e domosdoshme për t’u kompletuar ndryshimi i gjithmbarshëm”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Tutje në njoftim u tha edhe se Kryetari i LVV-së Albin Kurti njoftoi përfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes me rrjedhën e kompletimit të formimit të institucioneve shtetërore në fazën e pandemisë.

Ai njoftoi për masat e nevojshme e të menjëhershme të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit COVID 19, fokusin e qeverisjes për rimëkëmbjen ekonomike të nevojshme në këtë kohë krize ekonomike, si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat i presin në vjeshtën e këtij viti.

“U diskutua po ashtu edhe për ecurinë e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për fitoren plebishitare të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i shtabeve lokale në Qendrat tona gjithandej Kosovës por dhe në Qendrat tona në Mërgatë për arritjen e këtij rezultati”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim virtual u theksua domosdoshmëria e ndryshimit të ligjit për zgjedhje, ndryshim ky i cili do ua mundësonte qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit votimin në ambasada e konsullata.

“Kjo veçanërisht marrë parasysh pengesat e mëdha të cilat po ua pamundësojnë shumë qytetarëve realizimin e një të drejte themeltare demokratike, atë të votimit”, përfundon njoftimi.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë të mbajtura në shkurt të këtij viti doli e para me rezultat me mbi 50 për qind të votave.