Foto ilustruese: Pixabay

93 mijë euro për 18 zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë që nuk shkuan asnjë ditë në punë

18 zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë nga komuniteti serb u paguan nga buxheti i shtetit ndonëse nuk shkuan në punë. Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Ekonomisë.

Pagat e këtyre 18 zyrtarëve i kushtuan buxhetit të Kosovës plot 93 mijë e 435 euro në total për vitin 2021.

Sipas raportit të ZKA-së, rasti i punonjëseve nga komuniteti serb të cilët marrin paga të rregullta dhe  nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri është dukuri që po vazhdon të jetë prezentë nder vite.

Ndërsa thuhet se Ministria ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

Me vendimin nr. 06/39 të 22 korrikut të vitit 2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”.

Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në Ministrinë e Ekonomisë përmes akt-emërimeve janë të punësuar 18 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta.

“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri”, thekson raporti i ZKA-së.

ZKA rekomandon që ministrja e Ekonomisë të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar kushtet e punës dhe vijueshmërinë e rregullt të këtyre punonjëseve.

Një gjetje e tillë ishte evidentuar edhe në raportin e publikuar në vitin 2020 nga Zyra Kombëtare e Auditimit.