92 pacientë me COVID-19 po trajtohen në spitalet e Kosovës, MSh thirrje për vaksinim

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë duke u trajtuar 92 pacientë të infektuar me COVID-19, disa prej tyre edhe të pa vaksinuar.

Sipas njoftimit, ky numër mund të rritet dhe të shkaktojë ngarkesë shtesë për spitalet dhe profesionistët shëndetësorë.

Me qëllim të mbrojtjes dhe shmaniges së sëmundjes, MSh ju bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Me qëllim të mbrojtjes, shmangies së formave të rënda të sëmundjes dhe parandalimit të vdekjeve ju lusim që të vaksinoheni, me dozën që ju e keni në radhë, sipas ecurisë së vaksinimit tuaj. Vaksina mbetet sot arma kryesore, jo vetëm në Kosovë, e mbrojtjes kundër COVID-19, prandaj, ju lusim që t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për vaksinim, për vete, për prindërit dhe fëmijët tuaj dhe për një shoqëri të shëndetshme”, thuhet në thirrjen e Ministrisë.

Në 24 orët e fundit në Kosovë, tri viktima janë shënuar nga COVID-19.

Ndërkaq, nga 4,786 testime, 1 mijë e 853 persona kanë rezultuar pozitivë me Coronavirus.

Kurse numri i rasteve aktive ka arritur në 10 mijë e 830.