Foto: KALLXO.com

9 vjet pas ngjarjes, Gjykata e Gjilanit dënon të akuzuarit për vrasje në tentativë

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Gjilanit ka dënuar Ekrem Azizin, Skender Hasanin, Muhabi Latifin dhe Shukri Latifin, të akuzuar për vrasje në tentativë dhe lëndim të rëndë trupor.

Rasti, sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në mars të vitit 2011 dhe tek tani në shtator 2020 ka marrë epilog në shkallë të parë.

Skender Hasani dhe Ekrem Azizi u dënuan me nga 1 vit burgim për vrasjen në tentativë dhe 5 muaj për armëmbajtje pa leje. Dhe, Gjykata i dënoi me dënim unik prej 15 muajsh burg secilin.

Kurse Muhabi Latifi dhe Shukri Latifi për veprën penale të lëndimit trupor u dënuan me nga 9 muaj burg.

Kujtojmë se në seancen e fundit, prokurori pati kërkuar dënimin e të akuzuarve, kurse mbrojtja kërkonte lirimin nga akuzat.

Sipas Prokurorisë, Skender Hasani në muajin mars të vitit 2011, në Viti, kishte tentuar ta privojë nga jeta të akuzuarin tjetër, Ekrem Azizi.

Aktakuza sqaronte se Skender Hasani fillimisht e kishte goditur me ‘stupc’ Ekrem Azizin në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas, të njëjtin e kishte goditur dy herë në kofshë dhe në bark me revolen të cilën e posedonte pa leje.

Ndërsa, të akuzuarit Muhabi dhe Shukri Latifi, sipas akuzoheshin se në bashkëveprim gjersa i akuzuari Ekrem Azizi ishte duke ikur, të njëjtit e godasin me grushte, ‘stupca’ dhe me boks të hekurt në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

I akuzuari tjetër Ekrem Azizi akuzohej se me armë të zjarrit ka tentuar t’i privojë nga jeta të akuzuarit Skender dhe Muhabi Latifi duke i goditur që të dy me nga një predhë në këmbë dhe në gjoks.

E tërë kjo ngjarje mes të akuzuarve kishte ndodhur më 31 mars të vitit 2011, në afërsi të fshatit Smirë, në rrugën rajonale Viti-Gërlicë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.