Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

9 raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Nëntë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet e raportuara kanë ndodhur dy në Fushë Kosovë, një në Viti, një në Prizren, një në Malishevë, dy në Mitrovicë dhe dy raste të tjera në Vushtrri.

Në Fushë Kosovë një grua është ankuar në Policinë e Kosovës se ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga bashkëshorti i saj.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërkaq i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunë në familje është raportuar gjithashtu në Fushë Kosovë, ku një grua ka pësuar lëndime pasi dyshohet se bashkëshorti i saj për motive xhelozie, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Në raportin policor thuhet se viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur.

Në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori dhe njësitet policore janë duke e hetuar rastin.

Një grua në Viti ka raportuar në Policinë e Kosovës se pas një mosmarrëveshje në familje dyshohet se është sulmuar nga vjehrra e saj.

Sipas Policisë, ankuesja posedon raport mjekësor për lëndime trupore.

Në lidhje me rastin, Policia ka intervistuar tri dëshmitare dhe më pas është arrestuar e dyshuara në këtë rast vjehrra e ankueses.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, e dyshuara është liruar.

Një rasti po ashtu i dhunës në familje është raportuar në Prizren, ku forcat e rendit kanë arrestuar një person i cili dyshohet se ka shkaktuar dhunë në familje.

Si pasojë e dhunës, një grua ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Malishevë, Policia e Kosovës ka arrestuar një grua dhe një burrë të cilët dyshohet se janë rrahur mes vete.

Të dyshuarit, sipas Policisë, kanë pranuar tretman mjekësorë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Mitrovicë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

Në raportin 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Një rast i dhunës është raportuar në Mitrovicë, ku një grua ka njoftuar Policinë e Kosovës se ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj.

Gruaja ka refuzuar tretman mjekësorë. Rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në Vushtrri, më 14 gusht të këtij viti, një burrë kishte raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar fizikisht nga dy djemtë e tij.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Për rastin tjetër të dhunë në familje në Vushtrri, Policia e Kosovës njofton se një grua kishte raportuar në Polici se kishte një mosmarrëveshje me ish bashkëshortin në lidhje me disa foto në rrjete sociale.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.