Foto: Albin Kurti, Facebook

9 ankesa të ndryshme ndaj LVV-së, PZAP e dënon me 26 mijë euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 26 mijë euro gjobë për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.

Sipas vendimit të PZAP të datës 01.02.2025, ndaj LVV-së është ankuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8 ankesa të veçanta dhe një ankesë tjetër është paraqitur nga Insituti Demokratik i Kosovës.

Në ankesën me numër 243/2025 të datës 29.01.2025, PDK ka pretenduar se kandidatja për deputete e LVV-së, Fatmire Kollçaku, ka publikuar një video në Facebook me tekst shoqërues në ambientet e Kuvendit me qëllim të përfitimit të votave.

“Kandidatja në fjalë, këtë video e ka publikuar me qëllim të promovimit të numrit në listën me të cilën kandidono për deputete dhe se kjo video është regjistruar në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe kjo video vazhdon të jetë aktive edhe më tutje” – është ankuar PDK më 29.01.2025.

LVV e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e PDK-së. Mirëpo, njëjtë nuk e ka vlerësuar PZAP dhe në këtë rast e ka dënuar me 4,000 euro partinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ankesa me numër 260/2025 e ushtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) më 30.01.2025, është vlerësuar e bazuar nga PZAP dhe LVV është dënuar me 3,500 euro.

KDI ka pretenduar se më 29.01.2025, në ora 17:00, gjatë tubimit elektoral të LVV-së me gratë dhe vajzat e Kosovës në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj kundërshtatëve të tij politikë.

“Gjatë prezantimit të kandidates për deputete Mimoza Kusari Lila, duke theksuar dhe etiketuar këta kundërshtarë si ‘burreca e buburreca’” – thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP për ankesën e KDI-së.

“Në vitin e fundit Mimoza teksa po luftonte me kancerin, e në publik po sulmohej dëshpërimisht çdo ditë nga disa burra, burreca, nga disa buburreca të cilët me materiale të montuara e çmontuara e të rimontuara që ua kishin dhënë miqtë nga Lista Serbe” – ka shtuar KDI në ankesën e tyre.

Ankesa me numër 269/2025 e PDK-së e datës 30.01.2025 pretendon se kandidati për deputet i LVV-së, Ilir Gashi më 29.01.2025 ka postuar fotografi në llogarinë e tij në Facebook, e cila pretendohet se është realizuar në hapësirat e brendshme të Bashkësisë Islame.

PZAP ka vlerësuar se përfshirja e kandidatit dhe anëtarëve të tjerë të LVV-së për fushatë zgjedhore është takuar me përfaqësues fetar është në kundërshtim me dispozitën ligjore të nenit 5, paragrafi 2 nën paragrafi 2.4 i Rregullores Zgjedhore 07/2024.

Për këtë rast, LVV është dënuar nga PZAP me 3,000 euro.

Në ankesën e radhës të PDK-së që ka numrin 259/2025 dhe është parashtruar më 29.01.2025 në PZAP, LVV ka marrë gjobë në vlerë 6,000 euro.

PDK ka pretenduar se më 28.01.2025, mbështetësja e LVV-së, aktualisht kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku Isufi ka publikuar një video nga tubimi i LVV-së i mbajtur në Suharekë.

“Parashtruesi i ankesës ka theksuar se në këtë rast, subjekti politik LVV, gjatë fushatë zgjedhore ka përfituar nga nëpunësi publik duke përdorur pozitën publike të saj, për të zhvilluar fushatën zgjedhore të këtij subjekti politik” – thuhet në arsyetimin e vendimit të PZAP për këtë rast.

PZAP ka përmendur nenin 25, paragrafin 1 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, në të cilin përcaktohet “Zyrtarja/i publik ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitetet politike dhe të shprehë bindjet partiake vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucionit publik”.

Më tej, në ankesën numër 266/2025 po ashtu të parashtruar nga PDK, më 30.01.2025, pretendohet se në të njëjtën datë, aktivisti e mbështetësi i LVV-së në Skenderaj ka publikuar në rrjetin social, ku vërehet baneri/posteri i kandidatit për deputet të LVV-së, Albin Kurti e vendosur në hapësira publike, pa lejen dhe pëlqimin e pronarit të kësaj hapësire dhe drejtorisë përkatëse të Komunës së Skenderajt.

PZAP ka vlerësuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me nenin 34, paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.

“Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: 1.2 vendosja e njoftimeve, pllakatave dhe posterëve, ose përndryshe vendosja e emrave të tyre ose e sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike ose godinave, në apo mbi rrugët publike, në shenjat publike të trafikut, brenda ose jashtë hapësirave ose ndërtesave të zëna, ose ndryshe që shfrytëzohen nga organizatat ndërkombëtare ose brenda ose në hapësirat private pa leje të pronarëve ose shfrytëzuesve” – ka cituar PZAP nenin 34, paragrafin 1.2 të LZP-së.

Në këtë rast, PZAP e ka dënuar me 3,500 euro LVV-në.

Dhe në një vendim të PZAP-së janë përfshirë katër ankesa të PDK-së ndaj LVV-së, të gjitha të bazuara dhe që LVV-në e dënon me 6,000 euro.

Të katër ankesat PDK i ka parashtruar në PZAP më 23.01.2025. Në ankesën numër 145/2025, pretendohet se kandidati për deputet i LVV-së, Haxhi Avdyli ka postuar një video në Facebook e cila është realizuar në hapësirën e brendshme të Klinikës së Neurokirurgjisë, ku promovon numrin në listën me të cilën kandidon për deputet.

Në ankesën numër 148/2025, PDK pretendon se kandidatja për deputete nga LVV, Albena Reshitaj ka publikuar një video në Facebook në ambientet e Kuvendit të Kosovës me qëllim të përfitimit të votave.

Një foto në Facebook në ambientet e Kuvendit të Kosovës pretendohet se e ka publikuar më 22.01.2025 edhe kandidati për deputet i LVV-së, Agon Batusha sipas ankesës numër 149/2025 të PDK-së.

E kandidati për deputet i LVV-së, Besim Muzaqi pretendohet se ka publikuar një video në Facebook në ambientet e Kuvendit të Kosovës, më 22.01.2025, sipas ankesës me numër 150/2025 të PDK-së.

Në përgjigjen e LVV-së për PZAP në lidhje me këto ankesa, LVV e ka mohuar se bëhet fjalë për përfitim të votave nga personat e apostrofuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës apo të ambientit të Klinikës të Neurokirurgjisë.

Përveç këtyre 9 ankesave, KALLXO.com raportoi më 01.02.2025 edhe për 10 ankesa të tjera të PDK-së ndaj LVV-së e të përkthyera në gjobë në vlerë 35,000 euro. Përfshirë edhe një ankesë tjetër se fëmijë nën moshën 15-vjeçare morën pjesë në tubimin e LVV-së në Drenas, e për të cilën u dënua me 1,500 euro gjobë.

Shuma të majme të gjobave ka shqiptuar PZAP kundrejt partive politike që nga fillimi i fushatës zgjedhore.

PZAP u ka shqiptuar gjoba në vlerë 125 mijë euro subjekteve politike për shkelje të rregullave zgjedhore që nga fillimi i fushatës zgjedhore, e cila ka nisur më 11.01.2025 e deri më 22.01.2025.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17.02.2008.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 2008.