Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

89 prokurorë në ndjekje të shkeljeve ditën e zgjedhjeve

Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur sot se 89 prokurorë do të jenë të angazhuar në të gjitha komunat e Kosovës ditën e zgjedhjeve në ndjekje të shkeljeve eventuale gjatë procesit të votimit.

Të dielën, rreth 2 milionë votues kosovarë do të kenë të drejtën e votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të cilat vijnë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik të këtij viti.

Laura Pula, koordinatore nacionale e Prokurorisë për zgjedhjet, tha në një konferencë për shtyp se Prokuroria është e gatshme të ndërmarrë veprime ndaj personave që keqpërdorin të drejtën e qytetarëve për votim të lirë.

“Qëllimi i rolit të Prokurorit të Shtetit në këtë proces është parandalimi i kryerjes së veprave penale gjatë votimit”, tha prokurorja Laura Pula.

Ajo tha se deri tani Prokuroria ka hapur 8 raste dhe dy kallëzime penale. Prej tyre, katër raste janë hapur me vetëiniciativë të prokurorit, një rast tjetër ka të bëjë me një prezantim të rremë ndërsa një tjetër me një rast parapenal që ka të bëjë me dyshime për blerje votash.

Prokurorja Pula gjithashtu tha se është duke u hetuar një videoxhirim nga diaspora dhe një rast kur një votues e ka hedhur votën e vet në shitje përmes një platforme të shitblerjes në internet.