88 raste të denoncimit nga punëtorët për ‘shefat’ e tyre në aplikacionin e ATK-së

Duke përdorur aplikacionin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për verifikimin e punëtorëve nëse janë të deklaruar nga punëdhënësit, punëtorët kanë denoncuar ‘shefat’ e tyre në 88 raste për 12 ditë.

Përmes një komunikatë për media, ATK-ja ka ftuar të gjithë punëtorët që të shfrytëzojnë këtë aplikacion, në mënyrë që të ulen statistikat e punëtorëve të pa formalizuar.

ATK ka thënë se bazuar në projektin për formalizimin e punësimit, ndër arsyet kryesore që kanë kontribuar që punësimi joformal të trajtohet si i tillë janë nën-deklarimi i pagave, pagesa e pagave në dorë dhe të punësuarit pa kontrata pune.

“Të gjitha pikat e përmendura janë evidentuar edhe në raportet dhe anketat e bëra nga Banka Botërore, raportet e financuara nga Bashkimi Evropian, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Akademia e Shkencave të Kosovës, Njësia e Inteligjencës Financiare, si dhe nga Institucionet tjera, dhe të gjeturat nga ATK në terren”, thuhet në komunikatën e ATK-së.

Aplikacionin mund ta gjeni në ueb-faqen e ATK, duke klikuar KËTU.