ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

85-vjeçarja nga Ferizaj rrëfen për agjërimin e 71 Ramazanëve

Është 85-vjeçe. Nga tërë këto vite, Mihane (Hyseni) Luzha, nga Ferizaj, nuk ka agjëruar vetëm 14 Ramazanë, përfshirë edhe dy të fundit, për shkaqe shëndetësore.

Në një rrëfim për KALLXO.com ajo ka treguar si organizoheshin për Ramazan që nga koha kur u bë nuse, pak pa i mbushur 17 vjet.

Ndonëse thotë se kushtet kanë qenë shumë më të rënda, Mihane Luzha ka nostalgji për mënyrën e përgatitjes së iftarit dhe syfyrit në familjen e burrit.

85-vjeçarja tregon se për iftare kanë përgatitur ushqime më të veçanta se në ditët e tjera të vitit.

E nëse ndodhte të kishin mysafirë, siç ka ndodhur shpesh, sofra e familjes atëherë 30-anëtarëshe ishte e furnizuar edhe më mirë.

Ajo tregon se porsa përfundonte iftari, ajo dhe kunatat, kur e kishin rendin e magjes, fillonin menjëherë përgatitjet për të gatuar për syfyr.

“Pesë flija i kena qitë natën, për syfyr. Ma shumë kena gatu për syfyr, se burrat thojshin: Eshtohemi për ujë. Një natë flija, një natë laknor, përpeq…”, rrëfen ajo, duke shtuar se rendin e magjes e kanë pasur me rend nga 3 ditë. Deri në 22 bukë i kanë gatuar çdo natë.

Mihane Luzha tregon se buka është shtruar në dy vende, në odë për burra dhe në shtëpi për gra e fëmijë dhe asnjëherë nuk kanë ngrënë në të njëjtin vend.

“30 veta hajshim bukë, krejt kena ninu. Një sofër e shtrojshim te oda e burrave, një te gratë. Një fli e gjysë e çojshim në odë të burrat, një fli e gjysë e majshim te gratë”, tregon tutje ajo.

85-vjeçarja tregon një rast kur pasi kishte rënë për të fjetur në dhomë kishte shkuar vjehrra dhe i kishte thënë se kunati i madh po kërkonte kollpite.

“Jam çu menjëherë edhe pse ju dhimta vjehrrës. Ajo më tha hiç mos e qit, qysh në këtë vakt kollpite… Unë i thash më mirë po e gatuaj se mundet ai me folë”, tha ajo për KALLXO.com.

Tutje, Mihane Luzha tregon se pasi u nda familja e burrit punët u pakësuan dhe gjithçka ishte më lehtë, edhe për gatimet gjatë Ramazanit.

Ndonëse kushtet kanë qenë shumë më të rënda dhe ka pasur varfëri në kohën kur ajo ishte e re, 85-vjeçarja thotë se ajo kohë ka qenë më e mirë.

“Respekt ka pasë ma shumë, njerzillëk ka pasë ma shumë. Edhe pse tash i kemi krejt kushtet, mungon respekti për njani-tjetrin”, përfundon rrëfimin Mihane Luzha.