840 ushtarë u rekrutuan në FSK gjatë 2022

Gjatë vitit 2022, 840 persona janë betuar si ushtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Mehaj gjatë raportimit tha se gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë, ndërkaq gjatë muajve të mandatit të tij në total janë rekrutuar 1,230 ushtarë.

Ministri theksoi se të dyja proceset e rekrutimit të ushtarëve të rinj, janë monitoruar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

“Gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë të rinj, ndërsa gjatë këtyre muajve të mandatit në total janë rekrutuar 1,230 ushtarë që është dyfishi i numrit të vitit 2020 dhe 2019. Vlen të ceket se gjithë procesi i rekrutimit është monitoruar nga rrejti i BIRN-it për garantuar një proces sa më transparent” – u shpreh Mehaj.

Ai tha se në fokusin e Ministrisë së Mbrojtjes është rritja e numrit të grave dhe komuniteteve në ushtri, me ç’rast ai tha se për momentin në ushtri janë 10.44% gra.

“Në fokusin tonë si ministri është rritja e numrit të grave dhe komuniteteve në ushtri. Përbërja e ushtrisë duhet të pasqyrojë përbërjen e popullsisë. Për momentin janë 10.44% gra në ushtri, besoj që nuk është e mjaftueshme dhe kemi hapësirë për me rritë numrin por nëse e krahasojmë me rajon dhe më gjerë jemi mirë” – tha ministri.

“Andaj arsyeja për këtë fushatë të rekrutimit që është hapë me datë 15 për rekrutimin e 612 ushtarëve të ri aktiv, dhe 388 të pjesëtarëve të komponentës rezervë, fokus do të jenë këto dy grupe, e njëjta vlen edhe për 75 pozita specialistike në FSK”- shtoi ai.

Mehaj tha se në kuadër të ngritjes së kapaciteteve profesionale është investuar në trajnimin ushtarak dhe jashtë vendit.

“Ushtarakët tanë ndjekin studimin në akademia më prestigjoze në botë si ShBA, Mbretërinë e Bashkuar, Kroaci, Gjermani, Turqi dhe më gjërë. Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve profesionale është  investuar në trajnimin ushtarak dhe jashtë vendit. Gjatët këtij viti janë trajnuar rreth 2,547 ushtarakë që është dy herë më shumë se në vitin 2020 apo 16 herë më shumë se në vitin 2019”- raporton Mehaj.

Më tej ministri Mehaj, ka përmendur se është investuar edhe në ngritjen e kapaciteteve operacionale përmes investimeve në blerje të pajisjeve ushtarake.

“Gjithashtu është investuar në ngritjen e kapaciteteve operacionale përmes investimeve në blerje të pajisjeve ushtarake. Gjatë vitit 2022 buxheti i investuar në këtë drejtim tejkalon vitin 2021 me 84%, tejkalon vitin 2020 me 99% dhe vitin 2019 me 98%. Blerjet janë realizuar përmes marrëveshjeve shtet më shtet duke kursyer buxhetin, ruajtjen e kualitetit dhe shmangien e manipulimit”- theksoi Mehaj.