82.6% e stafit akademik të UP-së janë plotësisht të vaksinuar

82.6% e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë plotësisht të vaksinuar me një nga vaksinat që gjenden në Kosovë kundër virusit COVID-19.

Ndërsa, 12.9% e tyre pjesërisht të vaksinuar, por që deri më 1 tetor planifikohet të jenë plotësisht të vaksinuar, ndërsa vetëm 4.4 % janë deklaruar si të pavaksinuar.

Kjo është një nga gjetjet e hulumtimit të bërë nga UP-ja për shkallën e vaksinimit kundër COVID-19 e stafit akademik dhe administrativ.

UP-ja e ka bërë këtë hulumtim për të pasur një pasqyrë më të qartë për shkallën e vaksinimit kundër COVID-19 të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe për të planifikuar skenarët e mundshëm të organizimit të procesit mësimor dhe shërbimeve administrative me studentë gjatë semestrit vjeshtor të vitit akademik 2021/2022.

Gjetje tjetër është se edhe në mesin e stafit administrativ të anketuar, shumica dërmuese e tyre janë deklaruar si plotësisht të vaksinuar (50.5%) apo pjesërisht të vaksinuar (35.6%), ndërsa të pavaksinuar janë deklaruar 13.9% nga ta.

“Gjetje tjetër me rëndësi e këtij hulumtimi është dhe gatishmëria e lartë e stafit akademik dhe administrativ për të filluar procesin mësimor dhe shërbimet administrative me prani fizike nga 1 Tetori 2021, nëse shkalla e vaksinimit e këtyre grupeve të përfshirë në anketë dhe e studentëve rezulton e kënaqshme dhe numri i infeksioneve me SARS COV2 (COVID-19) bjen ndjeshëm”, thuhet në hulumtim.

Në këtë hulumtim janë përfshirë 541 të anketuar nga stafi akademik dhe 101 të anketuar nga stafi administrativ i UP-së në 14 fakultete.

Më poshtë mund t’i gjeni fakultetet e ndara me numrin e personave të vaksinuar:

 

Në Kosovë që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 janë administruar mbi 1 milion vaksina. Ndërsa, më 24 orët e fundit janë dhënë 20.144 doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe deri më 14 shtator 369.033 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.