Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj

81 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive, tre prej tyre në gjendje të rëndë (VIDEO)

Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj, ka njoftuar se në 81 pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, tre prej të cilëve janë në mjekim intensiv dhe janë në një gjendje të rëndë.

Në një intervistë për KALLXO.com, Vishaj ka treguar se janë shtuar rastet që kanë kërkesë për hospitalizim dhe ka theksuar se në dy javët e fundit ka pasur edhe rritje e numrit të të prekurve me COVID-19.

“Është e vërtetë që janë shtuar rastet që kanë kërkesë për hospitalizim. Dy javët e fundit kemi një rritje shumë të madhe të numrit të të prekurve me COVID-19. Tani kemi kërkesa për spitalizim .Në klinikën infektive kemi të hospitalizuar 81 pacientë, 3 janë në mjekimin intensiv dhe janë në një gjendje klinike mjaftë të rëndë”, njofton Vishaj.

Sipas Vishajt, varianti “Omicron” tani më është më dominues në Kosovë, por që pacientët e vaksinuar me të dy dozat e vaksinës po e kalojnë më lehtë se ata të pavaksinuar.

“Në bazë të raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, tani më dominues në Kosovë është varianti ‘Omicron’. Tek pacientët e infektuar, që janë të vaksinuar më dy doza të vaksinës, kemi vërejtur se e kalojnë një formë klinike më të lehtë. Tek pacientët që janë të pavaksinuar, varianti ‘Omicron’ është mjaft agresiv tek këta pacientë dhe është duke shkaktuar dëmtim shumë serioz në shëndetin e tyre”, është shprehur Vishaj

Ai ka treguar se pacienti i grupmoshës 0-9 vjeç që humbi betejën me COVID-19, ishte duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë.

Vishaj gjithashtu bëri të ditur se grupmoshat që përfundojnë me vdekje si pasojë e infektimit, janë mosha të shtyra dhe pacientë të cilët kanë pasur sëmundje të rënda.

“Në Klinikën Infektivë në këto tri ditët e fundit humbje jetësh të pacientëve kemi pasur persona të moshës mbi 80 vjeç dhe kemi pasur edhe disa pacientë të cilët nuk kanë qenë mosha të shtyra por, kanë pasur sëmundje bazë shumë të rëndë”, ka shpjeguar Vishaj.

Sa i përket furnizimit me barna, drejtori i Infektivës njofton se kjo klinikë është e furnizuar mirë me oksigjen dhe nga lista esenciale e barnave posedojnë të gjitha medikamentet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Klinika Infektive është e furnizuar jashtëzakonist mirë me oksigjen i cili është linja e parë e mbrojtjes dhe medikamenti më i rëndësishëm dhe më emergjent. Nga lista esenciale e barnave posedojmë të gjitha medikamentet të cilat rekomandohen në bazë të protokollit për trajtim i cili është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë “, ka deklaruar drejtori i Klinikës Infektive Arben Vishaj.