800 euro gjobë pasi e pranoi fajësinë për armë pa leje

Në gjykatën e Prizrenit, është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj të pandehurve Armend Kubati dhe Lulzim Pasuli.

Armend Kubati po akuzohet nga Prokuroria për veprën lëndim i lehtë trupor kurse i pandehuri Pasuli, po akuzohet për veprat lëndim i rëndë trupor, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Të pandehurit e lartcekur, pasi iu lexua aktakuza u deklaruan rreth fajësisë.

Kubati, nuk e pranoi fajësinë lidhur me akuzën me të cilën Prokuroria po e ngarkon, kurse i pandehuri Pasuli deklaroi se e pranon fajësinë vetëm për veprën armëmbajtje pa leje.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, të pandehurit Pasuli ia aprovoi pranimin e fajësisë me ç’rast të akuzuarin për veprën penale të mbajtjes në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve e shpalli fajtor dhe e dënoi me 800 euro gjobë.

Gjykatësi Osmani, gjithashtu konstatoi se lënda për lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor nga rrahja ndërmjet dy të pandehurve do të kalojë nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin e Përgjithshëm.

Sipas aktakuzës të datës 24 prill 2021, Armend Kubati dhe Lulzim Pasuli akuzohen se më 28 dhjetor 2020, në mesnatë në një kafene duke qenë nën ndikimin e alkoolit fillimisht shkëmbejnë ofendime ndaj njëri tjetrit dhe pastaj godasin njëri tjetrin me shishe të birrës duke i shkaktuar lëndime të lehta dhe të rënda trupore.

Më tej akuza thotë se Lulzim Pasuli, në kohë dhe vend të njejtë, pasi ka sulmuar viktimën, del jashtë dhe shkrep në ajër me pistoletën e tij “Smith & Wesson” të cilën armë e kishte pa leje.

Për këto veprime Armend Kubati po akuzohet se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor ndërsa Lulzim Pasuli po akuzohet se ka kryer veprat penale lëndim i rëndë trupor, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprës penale mbajtja në kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.