8 shkolla të Gjilanit përdorin ujë të papijshëm

Në tetë shkolla fillore të Komunës së Gjilanit që furnizohen me ujë nga puset, është gjetur se uji është i kontaminuar në aspektin kimik dhe bakteriologjik.

Numri i nxënësve që vijojnë mësimin në këto shkolla është 1 mijë e 317.

Si rrjedhojë e një hulumtimi në terren të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe nga analizat e siguruara nga Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Gjilan (QRSHP) rreth cilësisë së ujit në këto shkolla, kontaminimi i ujit në këto shkolla vjen si pasojë e vjetërsisë së filtrave të ujit dhe mosmirëmbajtjes së puseve.

Shkollat ku është gjetur se uji ka kontaminim në aspektin kimik dhe bakteriologjik janë: Shkolla Fillore “Liria”-Pogragjë, Shkolla Fillore “Agim Ramadani”-Lladovë, Shkolla Fillore “Vesel Muji”-Ponesh, Shkolla “Ibrahim Uruqi”-Bresalc, Shkolla “Vesel Muji”, Mihir, Shkolla “Esat Berisha” Llashticë, Shkolla “Nazim Hikmeti”- Dobërçan, Shkolla “Skendërbeu” Kmetoc.

Sipas vlerësimeve të QRSHP-së, uji i kontaminuar mund të bart lloje të ndryshme të mikroorganizmave, dhe për rrjedhojë mund të shkaktojë sëmundje infektive si tifoja, paratifoja, dizenteria dhe kolera.

Këto gjetje dhe rezultatet e raportit të QRSHP-së, KDI i ka shpalosur në një takim që është mbajtur me datën 18 dhjetor, me zyrtarët komunal dhe drejtorët e shkollave.

Në këtë tryezë, zyrtari nga drejtoria e shëndetësisë, Veton Uka, ka thënë që disa shkolla furnizohen nga bazenet, ndërsa kapakët e betonit me të cilët mbulohen këto bazene nuk janë të cilësisë së duhur. Po ashtu Uka ka theksuar që sidomos gjatë sezonit të vjeshtës ndodh depërtimi i bakterieve në këto bazene duke shkaktuar kontaminimin e ujit.

Kurse, Ajhane Sefiu nga QRSHP, ka kërkuar që klorizimi i ujit në këto shkolla duhet të bëhet në mënyrë permanente, ndërsa ka rekomanduar që çdo fshat duhet të tentojë të ketë sismenin lokal të furnizimit me ujë, që do të mundësonte përmirësimin e cilësisë së ujit në shkolla.

KDI ka kërkuar nga komuna e Gjilanit të merr masa të menjëhershme për mirëmbajtjen, pastrimin dhe rehabilitimin e këtyre puseve në mënyrë që këtyre nxënësve tu garantohet furnizimi me ujë të pijshëm.