Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

8 raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Në Prishtinë kanë ndodhur tri raste të raportuara, dy në Podujevë, një në Lipjan, një në Prizren dhe një në Gjakovë.

Në Prishtinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte ofenduar një grua dhe kishte dëmtuar orenditë shtëpiake.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Për rastin e dytë në Prishtinë, Policia njofton se një grua ka raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

Sipas Policisë, lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti është nën hetime.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht gra.

Njërës prej viktimave i është ofruar tretman mjekësor, njofton Policia.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje.

Në raportin e Policisë bëhet e ditur se, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Një grua në Podujevë ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga një burrë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.

Në Lipjan, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se kishte sulmuar një burrë.

Në raportin e Policisë thuhet se i dyshuari ishte me probleme psikike dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në neuropsikiatri.

Ndërkaq në Prizren, Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka kanosur një grua.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Gjakovë ka raportuar në Polici se një burrë i ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke i shkaktuar lëndime.

Sipas raportit, si pasojë e lëndimeve gruaja ka marrë tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është në kërkim policor dhe rasti është në hetime.