Ilustrim

8 raste të dhunës në familje gjatë 24-orëve

Në vendin tonë gjatë ditës së djeshme janë raportuar 8 raste të dhunës në familje.

Katër raste janë raportuar në Policinë e Kosovës në rajonin e Prishtinës, dy në Prizren, një në Vushtrri dhe një në Skenderaj.

Në Prishtinë rasti i parë është raportuar në ora 11:00, ku është arrestuar një i dyshuar, pasi pas mosmarrëveshje ka sulmuar një grua.

Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa, me vendim te prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Rasti tjetër është raportuar në ora 15:20, ku një grua ka raportuar në Polici se sa ka qenë me veturën e saj, një i dyshuar e kishte përcjellur me veturë dhe e kishte fyer.

Policia thotë se në lidhje me rastin është intervistuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në rastin tjetër në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar pasi kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Policia thotë se me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

Ngjarja ka ndodhur më 11 qershor, por arrestimi i tij ka ndodhur dje në ora 07:00.

Në Prishtinë po ashtu një grua dje ka raportuar se një i dyshuar shtetas i Shqipërisë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Policia ka shtuar se në konsultim me prokurorin, viktima është dërguar në strehimore, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Ngjarja ka ndodhur në ora 22:30.

Në Prizren, Policia dje e ka arrestuar një të dyshuar pasi ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur më 10 qershor në ora 21:30.

Policia ka shtuar se nuk është raportuar për të lënduar, kurse me vendim te prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje.

Në rastin tjetër në Prizren po ashtu është arrestuar një i dyshuar pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike në familje.
Sipas Policisë, rastin e ka raportuar një grua dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në Vushtrri, po ashtu është arrestuar dje një i dyshuar pasi ka sulmuar fizikisht një grua.

Policia ka bërë të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Në Skenderaj dje po ashtu është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti kishte shkuar në banesën e ankueses duke mos e përfillur vendimin e gjykatës pasi që ankuesja posedonte urdhër mbrojtës.

Policia ka shtuar se me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.