8 persona pritet të testohen për COVID-19 në Istog

Koordinatori i Shtabit Emergjent në Komunën e Istogut, Besart Dreshaj, ka njoftuar se në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë duke hulumtuar kontaktet e personave që kanë dalë pozitivë me COVID-19 në komunën e Istogut.

Sipas Dreshajt, aktualisht 8 persona pritet t’i nënshtrohen testit.

“Shtabi Emergjent Komunal është duke punuar vazhdimisht dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale që të realizojnë detyrat e tyre. Komuna e Istogut në bashkëpunim me Kryqin e Kuq janë duke u dalë në ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike familjeve në nevojë. Situata është nën menaxhim por jo për t’u injoruar prandaj ju lutemi të kemi kujdes të shtuar edhe pak, se gjithë bashkë do ja dalim”, ka shkruar Dreshaj në Facebook.

Sipas informacioneve zyrtare nga IKSHP, deri më sot në komunën e Istogut janë 8 raste të konfirmuara me COVID-19, prej të cilëve, 1 person ka vdekur, 1 person është shëruar dhe 6 raste janë nën kujdes e përcjellje dhe në vetizolim.

Dreshaj ka njoftuar se rasti i ri i konfirmuar mbrëmë gjendet në Klinikë Infektive në Prishtinë, i cili nga 15 prilli ishte i shtrirë në Spitalin Regjional në Pejë për probleme neurologjike.

Që nga 13 marsi, kur në Kosovë është shënuar personi i parë i prekur me COVID-19, e deri më sot, janë regjistruar në total 731 të infektuar, 165 të shëruar dhe 21 të vdekur.