8 muaj pas vrasjes së Gjyljeta Ukellës, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj

8 muaj pas vrasjes së Gjyljeta Ukellës, Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër bashkëshortit të saj Edmond Lajqi, duke e akuzuar këtë të fundit për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Komunikata e Prokurorisë citon aktakuzën, ku sipas kësaj të fundit, Edmond Lajqi me datë 16.04.2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella.

Këtë veprim sipas organit të ndjekjes i akuzuari e ka ndërmarrë për shkak të problemeve të vazhdueshme që i njëjti kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët.

“Edmond Lajqi ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gjyljeta Ukella, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike me herët, kurse, ditën kritike i pandehuri E.L., me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Pejës të datës 19.11.2024.

Gjithnjë sipas organit të ndjekjes, më pas i pandehuri theksohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes dhe të jetë paraqitur në Stacionin Policor të Pejës, ku i ka njoftuar zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe dërgoje një patrullë të Policisë”.

Komunikata potencon se përveç akuzës për kryerjen e veprës penale “Vrasje e Rëndë”, i akuzuari ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund ti lexoni këtu.