77 ankesa deri më tash në PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) deri më tani ka pranuar 77 ankesa nga subjektet politike pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit nga ana e KQZ-së, një ditë më parë.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

Deri në ora 10:50 është afati për ankesa dhe deri më tani i kemi pranuar 77 ankesa”, ka thënë ai.

Desku ka njoftuar edhe për numrin e ankesave të disa partive politike.

“SLS i ka parashtruar 42 ankesa, LDK-ja  20, PDK- 3, Nisma-AKR-PD me 5, Lëvizja Vetëvendosje 2 ankesa, e kështu me radhë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në nenin 105, paragrafin 3 thuhet “Për të gjitha ankesat e marra nga PZAP-i vendoset jo më vonë se 72 orë nga momenti i pranimit të ankesave në zyrat qendrore të PZAP-it”.

Ndërkaq, në nenin 106 paragrafin 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, shpjegohet se “KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-it lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”.

Në rezultatet finale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit e të publikuara sot nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti më i votuar në këto zgjedhje me 220,811 vota ose 26.159% apo 32 deputetë, pasuar nga LDK me 205,458 vota apo 24.458% me 29 deputetë.

Kurse partia e tretë ka dalur PDK-ja me 178,645 vota apo 21.163% apo 25 deputetë, duke u bërë për parti opozitare pas disa vitesh.

Ndërsa, Koalicioni Nisma – AKR – PD nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor. Ky koalicion grumbulloi vetëm 42,072 vota apo 4,984%.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi u ftua për intervistim nga Gjykata Speciale.

Pas rezultateve të zgjedhjeve, ky është rrugëtimi deri në krijimin e Qeverisë së re

.