Ilustrim

76 persona të arrestuar në 24 orët e fundit për mosrespektim të udhëzimeve për shkak të epidemisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm në 24 orët e fundit ka arrestuar 76 persona të dyshuar pasi që të njëjtit nuk kanë respektuar dispozitat shëndetësore gjatë epidemisë.

Sipas njoftimit të bërë nga ana e Policisë të dyshuarit janë arrestuarpër mosrespektim të orës policore e poashtu edhe për mosrespektim të vendimit të qeverisë për kufizim të lëvizjes.

Policia ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës ka arrestuar 11 persona të dyshuar, në Gjilan 12 persona, 5 persona në Ferizaj, 6 në Prizren, 10 në Pejë, 13 në Gjakovë, 3 në Mitrovën e Jugut, një person në Mitrovcën e Veriut si dhe 15 persona janë arrestuar nga departamenti i kufirit.

Në mbledhjen e 22-të të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që kufizimi i qarkullimit të qytetarëve të mbetet në fuqi deri më 12 prill.

“Ndërsa vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 01/15 i datës 23.03.2020, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 02/17 të datës 27.03.2020 për ndalimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve, mbetet në fuqi deri më datë 12.04.2020”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Fillimisht më 23 mars, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga 24 marsi të ndalohet qarkullimi i veturave nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00, përveç në nevoja urgjente që janë përcaktuar me vendim. Lëvizjet në rrugë të mos bëheshin më shumë se dy persona dhe të mbanin distancën me të tjerët deri në 2 metra. Po ashtu u ndaluan edhe tubimet në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Më 27 mars, Qeveria e plotësoi dhe e ndryshoi këtë vendim, duke ndryshuar orarin e qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe veturave. Tanimë qytetarët mund të lëviznin nga ora 06:00 deri në orën 17:00.

Me këtë vendim u ndalua edhe qarkullimi nëpër sheshe, barnatoret e licencuara do të operonin deri në orën 17:00, e më pas nëpër secilin qytet të përcaktohen barnatoret kujdestare.

Po ashtu, u theksua se shkelësit e masave të ndërmarra nga Qeveria do të dënohen sipas ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.