750 mijë euro investime në ujësjellësin e Gjakovës

Ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar një memorandum me kryeshefin e KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit për 28 fshatra të kësaj komune.

Sipas një komunikate thuhet së për këtë projekt ‘jetik’ për qytetarët e Gjakovës, kjo Ministri ka financuar vitin e kaluar me 200 mijë euro, kurse këtë vit me 750 mijë euro tjera.

“Jam i lumtur që sipas tij brenda këtij mandati po arrijnë që të sigurojnë të drejtën elementare për qytetarët e vendit për të pasur qasje në ujë të pijshëm”, ka shkruar Matoshi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sigurisht që kjo duhet të jetë detyrë e secilit nga ne, që me përkrahjen edhe të donatorëve ndërkombëtar të arrijmë që secila shtëpi në Kosovë të këtë qasje në ujësjellës”, thuhet më tej në komunikatë.