75 milionë euro për 100 megavat energji solare

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power kanë bërë hapjen e ankandit për parkun me energji solare i cili pritet të jetë investim 75 milionë euro për 100 megavat energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha që hapja e ankandit të parë të energjisë solare në Kosovë shënon pikënisjen e një epoke të re për zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë.

“Zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme në vendin tonë nuk është më një nocion i largët në funksion të mbrojtjes së fëmijëve tanë nga ndryshimet klimatike të cilat mund të ndodhin ose jo, tashmë është e qartë burimet e energjisë janë të nevojshme sot për të garantuar energji të mjaftueshme, me çmime të përballueshme pa dëmtuar shëndetin e planetin”- tha ajo.

Sipas saj këto 100 megavat shtesë do t`i ndihmojnë jashtëzakonisht ekonomisë kosovare.

“Do të shohim 100 megavat shtesë të kapaciteteve të prodhimit vendor, 100 megavat më shumë në miksin tonë të energjisë, inovacion e konkurrencë në sektor, vende të reja të punës, stimulim të rritjes ekonomike e përmirësim të jetës për qytetarët tanë”- theksoi ajo.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli për vizionin e qeverisë së tij drejt stabilitetit dhe tranzicionit nga energjia e burimeve fosile në energji të ripërtrishme.

“Vizioni ynë është i qartë të garantojmë siguri të furnizimit me energji elektrike në mënyrë që qytetarët dhe bizneset e vendit tonë të jenë të mbrojtura e fuqizuara pavarësisht rrethanave të jashtme. Të garantojmë pavarësi energjetike jo vetëm për sektorin tonë, por edhe për kontinentin tonë, të garantojmë përballueshmëri financiare”- tha ai.

“Ankandi i parë i Republikës së Kosovës i energjisë solare me kapacitet prej 100 megavat përmbush secilin hap të vizionit tonë. Ky ankand përmbush edhe synimet thelbësore të qeverisjes sonë e që janë 3 sosh, e para mundësi të pabarabarta për të gjithë akterët e përfshirë, e dyta inovacion dhe çmime të përballueshme, dhe e treta të garantojmë transparencë”- shtoi ai.

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power tha që e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritur dhe pa ndërprerje të energjisë elektrike.

“Është kënaqësi që të jem në këtë hapje të ankandit solar sepse një gjë është shumë e qartë, Kosova e ka një të ardhme të ndritur dhe tani do të kemi një energji të së ardhmes, nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë”- tha ajo.

Ajo tha që Kosova duhet të merret shembull nga vendet e tjera për transformimin energjetik.

“E kemi parë zotimin e nga udhëheqësit në Kosovë që të bëjnë transformimin energjetik, ajo që shpresojmë që do të shërbej si model edhe për vendet e tjera që të punojnë në rrugëtime të ngjashme”- theksoi ajo.

Shpallja e këtij ankandi, ishte paralajmëruar nga ministrja Rizvanolli se do të bëhet në fund të vitit të kaluar.

Rizvanolli: Planifikojmë në fund të vitit të lansojmë ankandin e parë për park solar