75 milionë euro në fushën e energjisë, Kosova dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen financiare IPA 2023

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë nënshkruar marrëveshjen financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin vjetor të IPA-së 2023.

Nga ky program Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe i terë programi do të jetë i orientuar plotësisht në fushën e energjisë.

Bislimi tha se do të bëjnë kërkesë që 90% e shumës të distribuohet menjëherë.

“Sot në ditën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bëhet një vit që nga agresioni rus në Ukrainë. Sot kujtojmë me dhimbje të gjitha viktimat. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën por Kosova e njeh dhimbjen dhe atë çfarë po kalon Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka ndikuar në krizën energjetike. Andaj sot km kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen e cila në plotni i është dedikuar fushës së energjisë” – tha Bislimi.

Ai shprehi falënderime ndaj BE-së për ndarjen e këtyre fondeve, që sipas tij dëshmon besimin ndaj Kosovës.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë tha se për shkak të krizës energjetike pas agresionit rus në Ukrainë, është vendosur që programi të orientohet në fushën e energjisë.

“Marrëveshja veç se është nënshkruar në Bruksel. Jam shumë i lumtur që jam dëshmitar i nënshkrimit të kësaj marrëveshje ku Kosova përfiton 75 milionë euro. Kjo është pjesë e 500 milionë eurove që janë ndare për të gjithë Ballkanin Perëndimor” – tha Szunyog

“BE-ja ka ndihmuar Ukrainën ndaj agresionit rus por edhe partnerët e saj sepse edhe ju jeni pjesë e krizës që ka përfshi botën” – vazhdoi ai.

Paketa energjetike e Kosovës, siç tha Szunyog paraqet grupet më të cenuara të popullsisë dhe se janë të gatshëm ta përkrahin Kosovën në tranzicionin energjetik dhe shpreson që Kosova ta implementojë strategjinë energjetike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shpjeguar programin duke thënë se do të përfitojnë të gjitha kategoritë në Kosovë.

“Programi që e kemi ndërtuar bashkë me Komisionin Evropian bazohet mbi përvojat e ndërtuara deri më tani. Ai është plotësisht i ndërtuar mbi nevojat dhe synimet tona. Vitin e kaluar kemi pasur masën përmes së cilës kemi subvencionuar pajisjet efecientë, ku përmes këtij programi do të kemi një masë të ngjashme me 10 milionë euro. Do të përkrahë bizneset e vogla dhe të mesme, familjet. Nuk kam dyshim se do të kemi një program të suksesshëm ku do të mund të shohim rezultate të prekshme”- tha ministrja Rizvanolli.

Ajo tregoi se gjatë vitit të kaluar kanë marrë shumë masa për të ulur konsumin e energjisë, masa obligative si ndalja e prodhimit të kriptovalutave, fushata në shkolla dhe si rezultat i këtyre dhe subvencionimit të energjisë, ajo tha që deri në fund të vitit duan ta ndalojnë trendin e rritjes së shpenzimit të energjisë.

Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë foli edhe për takimin e 27 shkurtit mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai tha që pret që të dyja palët ta pranojnë planin evropian dhe beson se marrëveshja e dialogut është shumë e rëndësishme për integrimin evropian të të dyja palëve.