Foto: Ministria e Financave e Austrisë/BBC

74 kameleonë kapen në një valixhe në Aeroportin e Vjenës

74 kameleonë të mbrojtur janë marrë nën përkujdesje në një kopsht zoologjik austriak pasi u gjetën në një valixhe në Aeroportin e Vjenës.

Kameleonët u zbuluan nga sigurimi pasi skenimi i valixhes me rreze X u duk e dyshimtë, raporton BBC.

Kameleonët u gjetën të fshehur në çorape dhe kuti.

Ata do të shiteshin për rreth 37 mijë euro në tregun e zi, thanë zyrtarët.

Një 56-vjeçar që kishte udhëtuar nga Tanzania me atë valixhe u arrestua më vonë.

56 vjeçari, i cili nuk është identifikuar nga Policia, mund të përballet me një gjobë deri në 6 mijë euro, tha Ministria e Financave.

 

Foto: Ministria e Financave e Austrisë/BBC

“[Kameleonët] mund të maskojnë veten mirë… por në fund të fundit ata nuk e kaluan makinën me rreze X”, tha Ministria në një deklaratë.

Kameleonët u transportuan menjëherë në kopshtin zoologjik “Schönbrunn” të Vjenës, ku u ekzaminuan nga specialistët.

Tre nga kameleonët nuk i mbijetuan udhëtimit.

“Sipas ekspertëve të kopshtit zoologjik, ata vijnë nga Malet Usambara, një rajon aktualisht shumë me shi dhe i freskët në Tanzani”, tha Ministria e Financave.

Kameleonët që mbijetuan tani janë nën përkujdesje në kopshtin zoologjik “Schönbrunn”.