Foto: Ilustrim

73 aksidente trafiku brenda 24 orëve të fundit, një me fatalitet

Policia e Kosovës në raportin ditor ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur gjithsej 73 aksidente trafiku në tërë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, nga 73 aksidentet e raportuara, një prej tyre ishte me fatalitet, 27 persona kanë rezultuar të lënduar, dhe 45 raste të aksidenteve kanë shpëtuar vetëm me dëme materiale.

KALLXO.com para pak minutave raportoi për aksidentin me fatalitet, i cili ka ndodhur në fshatin Balincë të Malishevës, ku një këmbësor është goditur për vdekje nga një veturë.

Sipas Policisë, dje rreth or ës 18:10, në rrugën magjistrale Prishtinë –Pejë, pikërisht në fshatin Balincë të Malishevës ka ndodhur një aksident trafiku, goditje e këmbësorit nga një veturë e cila ka rezultuar me fatalitet.

“Deri te aksidenti i ndodhur dyshohet se ka ardhur derisa automjeti kishte qenë duke qarkulluar në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, mirëpo me të arritur në fshatin Balincë, derisa vetura kishte qenë në lëvizje në shiritin e majtë qarkullues për një moment papritmas para i ka dalë një këmbësor në rrugë i cili kishte ardhur prej anës së majtë të rrugës, duke i kaluar barrierat e metalta”, thuhet në raportin e Policisë.

Me këtë rast, vozitësi duke mos e vërejtur nuk ka mundur që ta evitoj goditjen dhe me pjesën e parme ballore e ka goditur këmbësorin duke e bartur atë disa metra përpara e përplasur në rrugë”, thuhet ndër të tjerash në raportin përshkrues të Policisë.

Si pasojë e goditjes, këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga mjekët.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i shtetit. Me vendim të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë.

Në statistikat e Policisë së Kosovës, thuhet se në 24 orët e fundit janë shqiptuar edhe 1 mijë e 300 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme, ndërsa 873 tiketa të tjera janë shqiptuar për qytetarët në bazë të ligjit COVID-19.

Brenda 24 orëve po ashtu janë arrestuar edhe 25 persona për vepra të ndryshme penale,  13 të tjerë janë dërguar në mbajtje, ndërsa katër persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.