73.5% furnizim me barna esenciale, nëpër spitale e QKUK gjatë vitit 2024

Furnzimi me barna esenciale, në shtatë spitalet rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) gjatë vitit 2024 ka qenë: 73.5%. Furnizimi me material harxhues ka qenë më i lartë: 83.25%.

Kështu thonë të dhënat e ofruara nga shefja e Sektorit të Furnizimit me Barna në QKUK, Dardane Mehaj. Kjo përqindje është në raport me planifikimet e kërkesat e Spitaleve e të Klinikave.

Lista e Barnave Esenciale përbëhet nga një llojllojshmëri barnash, të cilat Shteti duhet t’i sigurojë për pacientët. Buxheti për këtë Listë për vitin 2024 ka qenë mbi 59.3 milionë euro, të cilat shfrytëzohen edhe për nivelin parësor shëndetësor – Qendrat e Mjekësive Familjare.

Gjatë këtij viti, QKUK është furnizuar me 75% të barnave e 83% të materialit.

Furnizimi më i ulët ka qenë në Spitalin e Mitrovicës me 70% barna dhe 77% material. Ndërsa, Spitali i Gjilanit ka pasur furnizimin më të lartë me 77% barna dhe 89% material.

Vushtrria është furnizuar me 76% të barnave e 84% të materialit. Ferizaj ka pasur 74% furnizim të barnave e 82% të materialit.

73% ka qenë furnizimi me barna e 87% me material në Pejë. Në Prizren, furnizimi ishte 72% me barna e 83% me material. Peja u furnizua me 73% të barnave e 87% të materialit. Ndërsa, Spitali në Gjakovë me 71% të barnave e 83% të materialit.

Ky nivel i furnizimit është dukshëm më i lartë sesa në nivelin parësor shëndetësor – të menaxhuar nga Komunat.

KALLXO.com kishte raportuar se gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, furnizimi me barna nëpër Komuna ka variuar nga 25.6% në Drenas deri në 70% në Pejë e Obiliq.

Komunat furnizohen përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkaq, Spitalet dhe QKUK-ja furnizohen nga tenderët e hapur prej Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Raporti i Punës i vitit 2023 tregonte se në SHSKUK, furnizimi me barna qenë 53%, e me material shpenzues 67%.

SHSKUK-ja përbëhet nga QKUK-ja dhe Spitalet Rajonale; si dhe, Qendrat e Shëndetit Mendor, Qendra Klinike Stomatologjike, Telemjekësia e disa Njësi të tjera.

Pacientët kosovarë janë përballur me mungesë të barnave ndër vite. Ka raste kur disa lloje të barnave është vështirë të gjenden edhe nëpër barnatore private. Këtu bëjnë pjesë edhe barnat që nuk kanë dokument, i cili e garanton cilësinë e barnave, e që quhet Autorizim Marketingu (AM). Mungesa e AM-së për këto Barna ua ka pamundësuar edhe institucioneve shëndetësore blerjen e tyre.