719 policë të Kosovës janë duke u përballur me sistemin e drejtësisë për vepra penale

Të shumta kanë qenë rastet javëve të fundit ku zyrtarë policorë janë përfshirë në vepra të ndryshme penale.

Policë të përfshirë në fajde, keqtrajtim të qytetarëve, rrëmbim, janë vetëm disa nga veprat penale për të cilat dyshohen ata.

Policia e Kosovës ka të regjistruara qindra dosje të cilat presin të trajtohen në aspektin disiplinor pas vendimeve të formës së prerë nga organet e drejtësisë.

Drejtori i Divizionit për Standarde Profesionale në një intervistë të gjatë për “Kallxo Pernime” tha se vazhdimisht kërkon nga zyrtarët policorë që të mos përfshihen në vepra penale.

“Jemi tu e pa që zyrtarët policorë janë duke e humb durimin pa nevojë që ligji nuk e lejon dhe normal që qytetari edhe e nxit situatën për shkak se edhe ai ka problemet e veta dhe kështu që nuk po gjendet rruga ma e mirë me zgjidh problemin. Unë vazhdimisht ju tregoj dhe u mësoj që zyrtari policor është me zbatu ligjin nuk është me mësu qytetarin çka me bo”, thotë Azizi deri sa shton se të shumta janë rastet ku zyrtarët policorë ballafaqohen me qytetarë të cilët shprehin pakënaqësi me dënimet që marrin.

Drejtori i Divizionit të Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës, Izet Azizi, Foto:KALLXO.com

Azizi thotë se çdo veprim tjetër që ushtrohet nga ana e zyrtarëve policorë është tejkalim i kompetencave.

“Ne trajtojmë rastet edhe në aspektin disiplinor edhe penal nëse eskalon situata siç i kemi parë edhe rastet e fundi ku është përdorur forca dhe dhuna pa pasë nevojë”, shton ai.

Madje dhuna e ushtruar nga zyrtarët policorë sipas drejtorit Azizi është temë ditore brenda Policisë së Kosovës.

“Drejtori i përgjithshëm është marrë drejtpërdrejt i kyçur në këtë çështje, e kemi top-temë këtë çështje dhe janë duke u analizuar rrethanat dhe shkaktarët pse kjo po ndodh tash pikërisht. Tash në kohën e fundit prej paraqitjes së pandemisë ne kemi ngritje të incidenteve në mes policisë dhe qytetarëve, unë nuk kam bërë ndonjë analizë të thuktë për me ardhë në konstatime pse, por duke marrë parasysh secili në vetvete se qysh jemi duke e përballu këtë situatë mendoj që kjo gjendje e pandemisë ka ndikuar edhe te zyrtarët policorë por edhe te popullata”, arsyeton drejtori Azizi veprimet edhe të policisë edhe të qytetarëve të përfshirë në rastet e dhunës fizike.

Drejtori thotë se shkaktari kryesor se pse rastet nuk trajtohen shpejtënë aspektin disiplinor është për shkak të vendimeve të organeve të drejtësisë.

“Ne e presim vendimin final, kur bëhet vendimi i plotfuqishëm. Deri sa nuk është vendimi final i formës së prerë nuk mundesh me marrë që dikush është i liruar apo dënuar. Ky është ai procesi që po na shkakton shumë probleme. Kemi shumë lëndë që janë të pezulluara dhe janë duke pritur vendime të gjykatës”, shpjegon tutje drejtori Azizi.

Drejtori i Divizionit për Standarde Profesionale në një intervistë për KALLXO.com foli edhe për policin që u përfshi në rrahjen e të riut brenda stacionit policor në Prishtinë.

“E kemi sistemin e komplikuar për trajtimin e aspektit disiplinor dhe penal. Ligji është krijuar dhe rasti që po përmendni komplet i takon IPK dhe ata ish dashtë me dhanë përgjigje në këtë punë sepse ligji për IPK thotë që rastet që marrin përmasa mediatike ato trajtohen edhe në aspektin disiplinor nga IPK ato raste nuk duhet me ardh hiç te na, ato duhet me u trajtu në aspektin disiplinor, nëse e gjen që edhe në aspektin disiplinor është bërë shkelje dhe kanë mundësi me bo një raport njoftues dhe me ja dërgu drejtorit me ja ndërpre marrëdhënien e punës”, tha ai.

Dosjet e zyrtarëve policorë që kanë probleme me ligjin, numërohen si qindra të tilla. Disa nga to janë bartur nga viti në vit për shkak se nuk ka vendime finale të gjykatave kompetente në lidhje me veprat penale që përfshihen policia.

“Kemi statistika, në bazë të raportit vjetor diku 719 raste janë të bartura nga vitet paraprake sepse janë duke pritur ndonjë vendim. 719 policë janë nëpër procese gjyqësore”, tha ai.

Tutje Azizi foli edhe për përfshirjen e zyrtarëve policorë në afera korruptive.