Foto: Pixabay

71-vjeçarja në Skenderaj dyshohet se u dhunua nga një i panjohur i moshës së re

Një grua 71-vjeçare dyshohet se është dhunuar para pesë ditëve në Skenderaj, përderisa rasti në Policinë e Kosovës është raportuar dy ditë më vonë.

Sipas raportit policor, ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 4 nëntor 2022, rreth orës 14:30, ndërsa raportimi në Polici ka ndodhur pas dy ditëve, më 6 nëntor 2022.

Nga Prokuroria e Mitrovicës kanë thënë se personi që dyshohet se ka kryer aktin është i moshës së re.

“Viktima është e moshës rreth 71-vjeçare, ndërkaq i dyshuari për këtë rast tani për tani është i panjohur, dyshohet se është i moshës së re” – ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.

Tutje ai ka thënë se janë në trajtim të rastit dhe se për shkak të hetimeve nuk mund të japin më shumë detaje.

Në raportin 24-orësh të Policisë u tha se një ditë pas raportimit, më 7 nëntor 2022, viktima është dërguar në ekzaminim mjekësor.