71 vjeçari që vdiq nga COVID-19 është nga Komuna e Prizrenit

Sot, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njoftoi për vdekjen e një 71 vjeçari nga COVID-19.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, personi është nga komuna e Prizrenit. Ai ishte pranuar në fillim të muajit qershor ndërsa kishte edhe sëmundje shoqëruese.

“Sot, në repartin e Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive, ka ndërruar jetë pacienti 71 vjeçar nga komuna e Prizrenit, i pranuar me 05.06.2020, i cili përveç infeksionit me Covid -19, kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së në Facebook.

ShSKUK njoftoi edhe për personat që po trajtohen në Klinikën Infektive.

“Në klinikën Infektive në QKUK, sot me 13.06.2020, janë të hospitalizuar 32 raste me Covid-19. Gjendja e pacientëve të sëmurë me Covid -19 është si vijon; 18 raste janë në gjendje stabile. 12 raste janë duke u trajtuar në repart me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 2 raste në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar dhe përkujdesje intensive”, thuhet në njoftim.

Në vendin tonë deri më tani janë konfirmuar 1384 pacientë si të infektuar ndërsa 920 janë shëruar.