Foto: KALLXO.com

71 vite burgim pesë të akuzuarve për vrasjen e kushëririt për motive pronësore

Gjykata e Gjilanit i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me 71 vite burgim pesë të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre.

Sipas Prokurorisë, vrasja kishte ndodhur më 2 maj 2019, ku për motive pronësore të akuzuarit kanë privuar nga jeta Muhamet Ismajlin.

Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica.

Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave, dëgjimit të dëshmitarëve dhe shikimit të videove nga vendi i ngjarjes të akuzuarve Besmir, Samet dhe Fisnik Ismajli për vrasje të rëndë u ka shqiptuar nga 21 vite burgim.

Ndaj Ismet Ismajlit dhe Izri Ismajlit për veprën penale lëndim i lehtë trupor Gjykata i shqiptoi 4 vite burgim kurse,  Ermond Ismajlin e ka liruar nga akuza.

Prokuroria e Gjilanit më 26 nëntor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve për shkak se të njëjtit më 2 maj 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje për motive pasurore-pronësore kanë privuar nga jeta Muhamet Ismajlin.

Sipas aktakuzës, fillimisht të akuzuarit shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit Muhamet Ismajli me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh, kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Tutje thuhet se i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast. Të gjitha raportet për këtë çështje mund t’i gjeni këtu.