Renovimi i sallës së teatrit në Qendrën e Kulturës "Rexhep Mitrovica" në Mitrovicë Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
700 mijë për renovimin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, projekti pritet të përfundojë në fillim të shtatorit
700 mijë euro janë ndarë për renovimin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë të Jugut brenda të cilës do të jetë edhe salla e cila do të shfrytëzohet nga Teatri i Qytetit “Muharrem Qena” për shfaqje teatrale.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Jashari.
“Për renovimin e Qendrës së Kulturës janë ndarë rreth 700 mijë euro nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё në projektin Implementimi i Masave të Efiçiences së Energjisë. Punimet në këtë projekt kanë përfshirë: termoizolimin e mureve, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme, hidroizolimin e çatisë së rrafshët, vendosja e ndriçimit efiçient LED, termoizolimin e mureve në bodrum tek kaldaja si dhe instalimin e sistemit të ri i ngrohjes me pelet”- ka thënë ai.
Për renovimin e sallës së teatrit janë ndarë 340 mijë euro.
“Investimi kapital në këtë sallë është bashkëfinancim në mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Mitrovicës, vlera e investimit është rreth 340 mijë euro. Projekti përfshin rregullimin dhe zgjerimin e skenës, rregullimin e ndriçimit, zërimit, ulëseve, paneleve akustike, ventilimit si dhe rregullimin e nyjeve sanitare, zhveshtorëve dhe tualeteve, pra rregullimin e tërësishëm të kësaj salle”- ka thënë Jashari.
Sipas drejtorit, Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica” pritet të funksionalizohet në fillimin e muajit shtator 2024.
“Renovimi i cili ka filluar në shkurt të vitit 2023 ka përfunduar në fund të muajit qershor të këtij vitit. Kanë mbetur vetëm edhe disa përmirësime të vogla të cilat do t’i bëjë kompania punëkryese. Kurse renovimi në Kino Sallën e Qendrës së Kulturës pritet të përfundoi në shtator të këtij viti. Pasi të përfundoi renovimi i Kino Sallës ose Sallës së Teatrit, Qendra e Kulturës do të jetë e gatshme për rifillimin e punës dhe do të rifunksionalizohet”- pohoi Jashari.
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” do të bëhet organizimi dhe avancimi i veprimtarisë kulturo-artistike dhe jetës kulturore në Mitrovicë. Duke filluar me organizimin dhe shfaqjen e programeve të ndryshme kulturo-artistike, shfaqjeve teatrore dhe koncerteve e programeve të ndryshme muzikore, orëve letrare, promovimin e krijimtarisë artistike dhe botimeve të ndryshme, organizimin e ekspozitave artistike, shfaqjen e filmave, si dhe aktiviteteve të tjera nga fusha e kulturës.
“Ndryshim tjetër që duhet të ndodhë është edhe rifunksionalizimi i Kinemasë së Qytetit”- theksoi Jashari.
Drejtori premton ngritjen e kualitetit të punës dhe ngritjen e profilit të institucioneve që ushtojnë veprimtarinë në këtë objekt.
“Vlen të theksohet se këto dy investime e kanë ringjallur këtë objekt dhe përpos që do të krijojnë kushte shumë të mira për organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike, do te këtë ndikim edhe në ngritjen e kualitetit të punës dhe ngritjen e profilit të institucioneve që ushtojnë veprimtarinë në objektitn e Qendrës së Kulturës në Mitrovicë”- u shpreh ai.
Jashari thekson se ndërhyrje të tilla nuk janë bërë që nga viti 2001.
“Me kohë nga çatia e rrafshtë e këtij objekti kanë filluar në disa pjesë të objektit rrjedhjet. Rrjedhje ka pasur edhe në kupolën e cila është në Sallën e Konferencave. Dritaret kanë qenë në gjendje të rëndë si dhe rrjeti i nxemjeve qëndrore ka qenë i tëri jashtë funksionit. Arsyje tjetër për këtë investim ka qenë sepse në hapësirat brenda objektit gjatë stinës së dimrit ka qenë shumë vështirë organizimi i aktiviteteve si dhe zhvillimi i punës për shkak të ftoftit që ka mbretëruar si pasojë e izolitmit të dobët”- përfundoi ai.