Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), Facebook

70 gra të prekura nga kanceri bënë rikonstruktimin e gjirit në QKUK

70 gra të diagnostifikuar dhe të trajtuara me kancer të gjirit kanë bërë rikonstruktimin e gjirit në Klinikës e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Ky njoftim vjen në ditën e fundit të tetorit – muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.

QKUK ka njoftuar se operacionet janë bërë me disa metoda përfshirë përdorimin e implanteve, transplantimin e indeve të vetë pacientit (si përdorimi i indeve nga barku ose shpina), dhe kombinime të metodave.

“Është arritur përmirësimi i cilësisë së jetës, meqë rikonstruksioni i gjirit mund të ndihmojë shumë gra të përballojnë më mirë pasojat psikologjike të mastektomisë (heqjes së gjirit), duke përmirësuar vetëbesimin dhe mirëqenien emocionale” – është shkruar në njoftim.

Më tej thuhet se përparimet në teknikat kirurgjikale dhe kujdesin post-operativ kanë ulur shkallën e komplikimeve në mënyrë të ndjeshme.

Pajisjet e nevojshme dhe materiali janë siguruar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), pjesë e së cilës është QKUK.

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, në Klinikën e Onkologjisë janë trajtuar 335 raste me kancer të gjirit, prej të cilave 332 janë gra dhe 3 burra.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëm 0.5 deri në 1% e kancerit të gjirit prekin personat e gjinisë mashkullore.