Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

7 vite nga seanca që i hapi rrugën krijimit të Speciales

Në një seancë maratonike të 7 viteve më parë, më 3 gusht 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me shumicë votash kishin votuar ndryshimet kushtetuese që i hapnin rrugën themelimit e Gjykatës Speciale e cila do të gjykonte pretendimet për krimet e luftës në Kosovë.

Për ndryshimet kushtetuese, duhen 2/3 e deputetëve apo më shumë se 80 vota të 120 deputetëve të Kuvendit. Pro themelimit të Speciales votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një kishte abstenuar.

Votat pro për Specialen i dhanë një pjesë e madhe e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ndryshe nga partia e tyre PDK, votuan deputetët Flora Brovina, Nait Hasani, Fadil Demaku, Ganimete Musliu e Raif Qela kishin votuar kundër, ndërsa deputeti Rafet Rama kishte abstenuar.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kërkonin që të mos votohej ky mekanizëm i cili sipas tyre po cenonte rendin kushtetues.

Tentativa e parë për ta votuar Specialen, kishte qenë më 26 qershor të po atij viti, mirëpo kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme.

Ndër zërat më të fuqishëm, për votimin e kësaj gjykate kishte qenë ish-ministri i Punëve të Jashtme në atë kohë, Hashim Thaçi, sot i akuzuar dhe i mbajtur në paraburgim nga kjo Gjykatë.

Ai i kishte quajtur “patriotë të rrejshëm dhe të padijshëm” deputetët që kishin votuar për mos themelimin e Gjykatës Speciale.

“Nga mosdija dhe patriotizmi i rrejshëm, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik në dëm të interesit shtetëror”, kishte shkruar Hashim Thaçi në Facebook.

Mandati i presidentit, Hashim Thaçit i mbeti në gjysmë më 5 nëntor të vitit 2020 pikërisht për shkak të konfirmimit aktakuzës për krime lufte të ngritur nga Gjykata Speciale.

Po atë ditë, edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dha dorëheqje nga pozitat udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës për t’u paraqitur në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Votimi për themelimin e Gjykatës Speciales, nga ish-kryeministri Mustafa ishte cilësuar detyrim moral për Kosovën nga kryeministri asaj kohe, Isa Mustafa i cili në seancën e 3 gushtit kishte bërë thirrje për votimin e kësaj gjykate.

“Është detyrimi moral, që Kosova ka ndaj partnerëve ndërkombëtarë sidomos atyre, që ndihmuan çlirimin e vendit dhe pavarësinë, si SHBA dhe vendet e BE-së, që e konsiderojnë të nevojshme formimin e Gjykatës Speciale. Kosova nuk mund të qëndrojë e izoluar”, kishte thënë Mustafa.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte thënë se kjo gjykatë nuk vjen nga Beogradi.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi, Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, ka thënë ai.

Tentativa për shfuqizim që ‘lëkundi’ raportet me aleatët

Por nuk shkoi shumë, dy vite më vonë në dhjetor të vitit 2017, deputetët e Kuvendit të Kosovës u bënë ‘pishman’ për Specialen.

Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kishin nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohej ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

E në institucionin më të lartë ligjvënës në vend, 43 deputetët të Kuvendit të Kosovës kishin thirrur seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nisma për revokimin e Ligjit mbështetej nga partitë e koalicionit qeverisës të vendit – PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate.

Propozimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale kishte ngjallur reagime të ashpra të ambasadorëve të vendeve të Quintit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë në atë kohë, Greg Delawie, e kishte cilësuar këtë veprim si “ngulje e thikës pas shpinës ndaj Amerikës”.

“Kosova do të zgjedh izolimin në vend të bashkëpunimit dhe unë duhet të them se ne e urrejmë ta kthejmë orën mbrapa për Kosovën, nëse vjen puna deri këtu. I thërras liderët e Kosovës që të mbyllin këtë çështje”, pati thënë ai.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe i asaj kohe, Ruairi O’Connell, e ka quajtur mbrëmjen e 22 dhjetorit, si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

“Shpresojmë që secili deputet do të marrë me seriozitet interesat e shtetit të Kosovës qysh i ka marrë na atë kohë, dhe shpresoj që do të vazhdoj procesi. Por sonte mund të jetë nata më e rrezikshme e Kosovës që nga lufta”, ka thënë ai.

Mirëpo mbledhja e kryesisë së Kuvendit për tu caktuar kjo seancë dështoi për dy herë radhazi në mungesë të kuorumit, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk morën pjesë.

Gjithçka për këtë iniciativë mbaroi po atë ditë që filloi.

Tentativa e dytë për ta ‘penguar’ punën e Speciales

Më 6 mars 2020, Radio Evropa e Lirë kishte publikuar disa letra që tregonin tentativën e ish-presidentit Hashim Thaçi për të penguar punën e Speciales.

Komunikimi ishte bërë në nëntor të vitit të vitit 2019 ku ish-presidenti Thaçi i kishte dërguar një letër Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, ka shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Puna e Dhomave të Veçanta në formatin aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e sekretarit Pompeo, autenticitetin e të cilës e kishte konfirmuar Zyra e presidentit të Kosovës.

Kush po gjykohet në Hagë?

2020 ka qenë viti kur zyrtarisht ka filluar punën Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por me seli në Hagë.

Mandati i kësaj gjykate është hetimi i krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi janë ndër udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke u gjykuar nga kjo gjykatë.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Mbi ta rëndojnë akuzat për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje , akte të tjera çnjerëzore torturë, vrasje e paligjshme Zhdukje me forcë e personave, si dhe akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme.

Në Hagë, është duke u gjykuar edhe Salih Mustafa ish-komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Mustafa po akuzohet për ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturë dhe vrasje së paligjshme.

Përveç Mustafës, edhe Pjetër Shala ish-pjesëtar UÇK-së është duke u gjykuar në Hagë.

Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Në bankën e të akuzuarve në Hagë kanë përfunduar edhe ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hyseni Gucati e Nasim Haradinaj.

Aktakuza fillestare kundër dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor 2020.

Këtë të fundit, në maj të këtij viti gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Hysni Gucati u dënua me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë dhe Nasim Haradinaj me 4 vite e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.